Kuqezinjtë lënë pas vetes edhe ndeshjen e dytë kontrolluese në Antali të Turqisë, pasi sot luajtën baraz 0:0 përballë MFK Karvina nga Republika Çeke.
Stafi teknik i Shkëndijës ka edhe një pasqyrë më shumë për nivelin momental të përgatitjes së skuadrës, pasi kuqezinjtë sot zhvilluan edhe ndeshjen e dytë kontrolluese në kuadër fazës përgatitore që vijon në Antali të Turqisë. Pas fitores 3:2 në testin e parë me ŠKF Sered-in e Sllovakisë, sot Shkëndija luajti pa gola përballë MFK Karvina-s nga Republika Çeke. Pjesën e parë trajneri Gjoka e luajti me formacion të njejtë si në testin e kaluar, me ndryshim të vetëm Radeskin që kishte zënë vendin e Agim Ibraimit. Shkëndija kishte më shumë nga loja, por pa mundur të sjellë ndonjë konkretizim të rasteve të krijuara, prej të cilave vlen të veçohen rastet e Radeskit që bllokohet në moment të fundit nga mbrojtësi rival, në kushte kur ishte përballë portierit, ndërsa më vonë Besart Ibraimi pas një lëvizje të bukur para zonës prodhon një të majtë të fortë që ndalet mrekullisht nga portieri i MFK Karvina-s.
Në vazhdim, pas 10-të minutave të pjesës së dytë (minuta e 55-të), trajneri Gjoka zëvendësoi 10-të futbollistë dhe i vetmi titullar që mbeti në lojë ishte portieri Zahov (deri në minutën e 72-të kur zëvendësohet nga Artan Iljazi). Epërsisë i’u afruam në minutën e 65-të kur Sadriu nuk arrin të godasë me kokë pas harkimit të A. Ibraimit, ndërsa topi arrin te Fazli, që nuk arrin të godasë si deshi nga një pozitë ideale. Agim Ibraimi kërkoi golin nga gjuajtja e lirë, por pa gjetur kuadrantin me goditjen që shkoi mbi traversë, ndërsa në minutën e 75-të Valmir Nafiu nga mesi i fushës prodhon depërtim të bukur në krahun e djathtë, mirëpo goditja e tij kontrollohet nga portieri kundërshtarë. Fazli u gjet ballë-ballë me portierin kundërshtar dhe kur pritej të realizojë me faul ndalet nga pas shpinës, por për arbitrat nuk bëhej fjalë për penalti.
Në fund ndeshja u mbyll me rrjeta të paprekura dhe kuqezinjtë shofin përpara për vazhdimin e përgatitjeve dhe dy ndeshjeve tjera të planifikuara për këtë fazë me Randers FC të Danimarkës (04 shkurt) dhe Slovan Liberec (07 shkurt) nga Republika Çeke.
KF SHKËNDIJA-MFK KARVINA 0:0 SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Krivak, Dallku, Mici, Alimi, Totre, Ahmedi, Radeski, Imeri, B. Ibraimi.
Luajtën edhe: Fazli, A. Ibraimi, Merxhani, Neziri, Nafiu, Sadriu, Çeshmexhiev, Zejnullai, Ramadani, Neto dhe Artan Iljazi. Trajner: Ernest Gjoka