Zyrtare: Ferhan Hasani rikthehet në klubin e tij të zemrës

No image

KF Shkëndija me kënaqësi njofton se ka arritur marrëveshje për rikthimin e Ferhan Hasanit në klubin tonë, duke nënshkruar kontratë me kohëzgjatje prej 2 vite e gjysmë. Kështu klubi me këtë lëvizje sensacionale bën përforcimin e tretë të kuqezinjve në këtë afat kalimtar të janarit, me çka vijon ndërtimi i skuadrës së re e cila pritet të hap një kapitull të ri në sukseset e radhës së Shkëndijës.

Rikujtojmë që Ferhan Hasani në skuadrën kuqezi rikthehet pas tre vite e gjysmë, ndërsa brenda kësaj periudhe ishte pjesë e ekipit të Al-Raed nga Arabia Saudite, HJK Helsinki nga Finlanda, ndërsa së fundmi luajti për ekipin e Partizanit nga Tirana. Poashtu, verën e shkuar Ferhan Hasani ishte pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në Kampionatin Evropian të Futbollit EURO 2020.
Ferhan Hasani në të kaluarën me fanellën e Shkëndijës ka fituar 5 trofe, edhe atë 2 herë titullin e kampionit të Maqedonisë së Veriut, 2 trofe të Kupës dhe 1 trofe të Super Kupës, ndërsa ishte ndër lojtarët kryesorë në sukseset e Shkëndijës në garat evropiane kur skuadra jonë për tre vite rradhazi luajti në ndeshjet play off të UEFA Europa League. Ndërkaq me ekipin e HJK Helsinkit, Ferhan Hasani në vitin 2020 fitoi 2 trofe, titullin e kampionit dhe Kupën e Finlandës.

“Në vitin 2011 së bashku e fituam titullin kampion i Maqedonisë së Veriut, dhe dëshira ime është që ta përmbylli përsëri si kampion me Shkëndijën, bashkë me Ballistët dhe Tetovën. Jam tepër i gëzuar që nënshkruaj me Shkëndijën, me klubin ku jam rritur dhe që është klubi im i zemrës. Jo vetëm që në të kaluarën kam qenë pjesë e Shkëndijës dhe kemi fituar shumë tituj së bashku, por sot rikthehem që të ndihmoj skuadrën në fitimin e titullit kampion dhe në sukseset e radhës në garat evropiane. Besoj se rikthehem në momentin e duhur. Gjatë periudhës së kaluar tre vjeçare që nuk isha pjesë e Shkëndijës kam fituar shumë përvojë, dhe këto përvoja të reja më kanë bërë edhe më të fortë. Pres që sa më parë të fillojë sezoni pranveror dhe të filloj të luaj në fanellën e Shkëndijës”, potencoi Hasani gjatë nënshkrimit të kontratës.

Ferhan Hasanit i dëshirojmë shumë fat dhe suksese në fanellën e Shkëndijës!

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME