Xhiroja e 32-të: Shkëndija-Struga Trim&Lum

No image

Ndeshjen e fundit sezonale si vendas në këtë sezon e luajmë të mërkurën në Tetovë përballë kampionit të ri Struga Trim&Lum.

NDESHJA

Shkëndija vs Struga Trim&Lum

Liga e Parë, xhiroja e 32-të

Stadiumi i qytetit në Tetovë 

E mërkurë, 10 maj, ora 17:00

Me dy ndeshje deri në mbyllje të sezonit, të mërkurën Shkëndija luan takimin e fundit para tifozëve vendas kur presim kampionin e ri të futbollit vendor, Struga Trim&Lum. 

Humbja e të dielës nga Shkupi edhe matematikisht na nxori nga gara për titull, por gjithsesi dy ndeshjet e mbetura do të kërkohet maksimumi për të mbyllur sezonin në mënyrë të denjë. Strugën mund ta përgëzojmë për titullin, por në lojë sigurisht se do të kërkohet fitore për të treguar se oshilacionet e rezultateve në vjeshtë na penalizuan në rrugën drejt qëllimeve sezonale. 

Struga Trim&Lum edhe zyrtarisht ka konfirmuar sezonin më të suksesshëm në historinë e tyre. Nga 28 ndeshje të zhvilluara në 31 xhirot paraprake struganët kanë regjistruar 18 fitore, 8 barazime dhe vetëm dy humbje dhe me 62 pikë tashmë kanë siguruar të mbyllin sezonin në vendin e parë. 

Skuadra

Për arsye lëndimesh jashta kombinimit për ndeshjen me Strugën mbeten Ferhan Hasani, Egzon Bejtullai dhe Bashkim Velija. 

Transmetimi

Përballja Shkëndija-Struga Trim&Lum zhvillohet të mërkurën me fillim në orën 17:00 në stadiumin e qytetit në Tetovë dhe do të transmetohet drejtëpërsëdrejti në kanalet e RTVM-së dhe në platformën Arena Sport.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME