Xhiroja e 32-të: Shkëndija-Rabotniçki

No image

Kuqezinjtë me titullin e kampionit të siguruar tre xhiro më parë të mërkurën vazhdojnë paraqitjet në kampionat me mendje te finalja e Kupës.

Të mërkurën luhet xhiroja e 32-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, ndërsa Shkëndija në Tetovë pret Rabotniçkin. Me titullin e siguruar kuqezinjtë mendjen e kanë ka finalja e Kupës ku do të kërkohet bashkimi i dy trofeve në futbollin vendor, mirëpo deri atëherë kanë para vetes edhe pesë sfida kampionale. Të njejtat shfrytëzohen nga stafi teknik për tu dhënë shans për të luajtur gjithë futbollistëve (edhe atyre që kanë pasur më pak hapsira për lojë), ndërsa pavarësish se vendi i parë është i siguruar, fitorja mbetet objektiv. Trajneri Osmani ka potencuar pakënaqësinë e tij pas humbjes së fundit me Pobedën dhe pritet që futbollistët të sjellin reagim kundër Rabotniçkit. Shkëndija ka fituar tre duelet paraprake të këtij sezoni kundër Rabotniçkit (2:6 dhe 0:2 në Shkup dhe 2:1 në Tetovë), ndërsa u ndeshën edhe në 1/8 e finales së Kupës (dy barazime 1:1) me Shkëndijën që vazhdoi garat pasi triumfoi ndeshjen e kthimit me penalti. Kuqezinjtë kanë në dispozicion gjithë futbollistët dhe para ndeshjes do të vendoset formacioni startues.
Shkëndija-Rabotniçki luhet të mërkurën në Tetovë me fillim në orën 16:00.