Xhiroja e 25-të: Shkëndija Pobeda

No image

Me seri prej tre fitoreve rresht kuqezinjtë të dielën presin Pobedën në kërkim të tre pikëve të radhës. 

NDESHJA

Shkëndija vs Pobeda

Liga e Parë, xhiroja e 25-të

Stadiumi i qytetit në Tetovë 

E dielë, 2 prill, ora 15:00

Pas pauzës dy javore rikthehet elita e futbollit vendor me ndeshjet e xhirot së 25-të. Shkëndija në seri shumë pozitive do të presë Pobedën e Prilepit në momentin më të mirë të këtij kampionati për kuqezinjtë. Tre fitore rresht dhe 4 triumfe në 5 ndeshjet e fundit mbajnë Shkëndijën në garë për titullin e kampionit. Në pranverë djemtë e trajnerit Qatip Osmani kanë efekt të 100% të fitoreve si vendas dhe të dielën kërkojmë të vazhdojmë këtë seri. 

Pobeda ka start katastrofal të gjysmësezonit pranveror. 6 humbje në po aq ndeshje të luajtura e mbajnë Pobedën në vend të fundit në renditje, mirëpo prilepasit nuk dorëzohen dhe vazhdojnë të shpresojnë të paktën të shmangin rënien direkte dhe synojnë të kapin vendin e 10-të që çon në balotazh dhe që për momentin mbahet nga Skopje (Pobeda 13 pikë, Skopje 14 pikë). Nga 6-të disfatat pranverore të Pobedës, njëra është pikërisht nga Shkëndija në Tetovë kur në xhiron e 20-të fitonim 1:0 me golin e Çinarit. 

Skuadra

Ljupço Doriev pritet të jetë përforcim i madh për Shkëndijën në vazhdim të kampionatit, pasi sulmuesi anësorë ka lënë pas dëmtimin dhe është rikuperuar plotësisht. Nuk dihet nëse trajneri Osmani do ta aktivizojë prej fillimi apo do presë shans nga bankina, mirëpo lajmi i mirë është se Doriev do të jetë në kombinim. E njejta vlen edhe për Bashkim Velijan dhe Dashmir Elezin të cilët kanë ushtruar me intensitet të plotë ditët e fundit dhe futen në kombinim për lojë. 

Megjithë kthimin e rëndësishëm, Shkëndija në këtë duel do të ketë mungesa të konsiderueshme. Metodi Maksimov i lënduar kundër Skopjes nuk është rikuperuar dhe vazhdon me stërvitet individualisht duke ngelur jashta kombinimit për këtë duel, njejtë si i riu Lorik Jakupi që ka zgjatur kofshën e këmbës. 

Klisman Cake dhe Mevlan Murati humbin këtë duel shkaku i pezullimit me 5 kartona të verdhë. 

Arbitrat

Për herë të parë në historinë e elitës së futbollit të Maqedonisë një arbitre femër do të ndajë drejtësinë si kryesore në një ndeshje të Ligës së Parë. Iva Projkovska do të jetë në qendër të ndarjes së drejtësisë në takimin Shkëndija-Pobeda. Kjo do të jetë ndeshja e parë e Projkovskës si refere kryesore në Ligën e Parë të Maqedonisë dhe duke parë përvojën e saj ndërkombëtare dhe delegimin e vazhdueshëm në Ligën e Kampionëve për femra, pritet që të dielën të jetë në nivel të detyrës. 

Transmetimi

Përballja Shkëndija-Pobeda zhvillohet të dielën me fillim në orën 15:00 në stadiumin e qytetit në Tetovë dhe do të transmetohet drejtëpërsëdrejti në kanalin zyrtarë të klubit në Youtube. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME