Xhiroja e 16-të: Shkëndija-Skopje

No image

Kuqezinjtë rikthehen të luajnë në Tetovë pas 14-të ditëve, kur të dielën në kuadër të xhiros së 16-të të LPFM-së presin Skopjen. Shkëndija e kompletuar kërkon suksesin e rradhës për të ruajtur distancën në kreun e renditjes tabelare. Ndeshja luhet të dielën me fillim në orën 13:00.

I pari me të fundin gjithmonë është një përballje ku është e qartë se cilit i takon roli i favoritit, mirëpo kuqezinjtë ndeshjen e të dielës me Skopjen e shikojnë me seriozitet maksimal dhe do të hyjnë në lojë me përkushtimin e një finaleje. Ekipi kishte rikthim të suksesshëm në kampionat pas pauzës shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare kur të enjten fitoi 0:2 transfertën me Sileksin në Kratovë, ndërsa tani me temë në kampin kuqezi është Skopje ndaj të cilëve kërkohet vazhdim i serisë së fitoreve si në tre xhirot e fundit kampionale. Me tre përballje deri në fund të gjysmësezonit vjeshtor Shkëndija matematikisht ka nevojë edhe për katër pikë për tu shpallur kampione e dimrit, mirëpo duke ditur se qëllimi përfundimtar për fitimin e titullit arrihet në fund të muajt maj të vitit të ardhshëm, Shkëndija kërkon tre pikë në çdo ndeshje të rradhës. I riu Arbin Zejnullai reflekton optimizmin e skuadrës para kësaj ndeshje, duke potencuar se përkundër pozitës së fundit të Skopjes, të gjjithë shikojnë këtë ndeshje me respekt maksimal si gjithë takimet tjera.

Duke llogaritur faktin se skuadra të enjten zhvilloi 90-të minuta shumë pozitiv në Kratovë, por në kushte të vështira për lojë si pasojë e të rreshurave të shiut, stafi teknik është munduar të rikuperojë në maksimum futbollistët për sfidën e rradhës. Bilansi shëndetësor është pozitiv, Ennur Totre tani më dy ditë punon me intenzitet maksimal, kështu që trajneri Osmani para ndeshjes do të mund të zgjedhë formacionin e parë pa asnjë mungesë. Stafi teknik vazhdimisht kërkon nga futbollistët të mos vijë deri te ndonjë lëshim i padëshiruar edhe pse statistikat e bëjnë Shkëndijën favorit apsolut.

Plotë 28 pikë është diferenca ndërmjet dy ekipeve që mbajnë pozitat kufizuese të tabelës, të parën dhe të fundit. Shkëndija kërkon fitoren e 13-të sezonale përballë shkupjanëve që regjistrojnë vetëm 1 triumf në 15-të xhiro. Kuqezinjtë me 42 gola të realizuar kanë bindshëm sulmin më të mirë në pjesën e deritashme të sezonit, ndërsa Skopje edhe në këtë parametër është e fundit në ligë, me vetëm 8-të gola.

Shkëndija ka gjithë parakushtet për të arkëtuar fitore të re përballë Skopjes, mirëpo të gjithë janë të bindur se e njejta mund të arrihet vetëm nëse jepet anagazhim maksimal gjatë 90-të minutave në takimn e të dielës që do të luhet në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00.