Xhiroja e 15-të: Struga T&L – Shkëndija

No image

Dy skuadrat e para në renditje përballen mes veti në Strugë, me kuqezinjtë tanë që kërkojnë fitore për t’ia rëmbyer vendin e parë liderit aktual. 

NDESHJA

Struga T&L vs Shkëndija

Liga e Parë, xhiroja e 15-të

Stadiumi i qytetit në Strugë

E shtunë, 12 nëntor, ora 13:00

Pas kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës, Shkëndija me atmosferë shumë pozitive u kthehet detyrave në kampionat. 

Duel për vendin e parë në renditje luhet të shtunën në Strugë. Vendasit ruajnë pozitën e liderit edhe me barazim, por Shkëndija udhëton me ambicie për fitore me çka do të barazohej me Strugën në vendin e parë. 

Kuqezinjtë tanë janë ekipi i vetëm që ka pësuar vetëm një humbje në 14-të xhirot paraprake dhe e njejta erdhi nga Struga në duelin e xhiros së katërt kur Shkëndija si “vendase” në Strumicë u mund 0:2. 

Struga po zhvillon deri tani gjysmësezonin më të mirë në historinë e vet dhe udhëheq renditjen tabelare me 27 pikë (8 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje). Starti me 8-të fitore të njëpasnjëshme bëri struganët liderë të padiskutueshëm me epërsi të konsiderueshme para ekipeve ndjekëse, mirëpo kanë hyrë në krizë në 5 ndeshjet e fundit kur kanë dy humbje dhe tre barazime, duke lejuar që tashmë distanca të shkurtohet në vetëm tre pikë me Shkëndijën e vendit të dytë. 

Skuadra

Shkëndija më në fund kompletohet dhe mungesa e vetme për trajnerin Qatip Osmani është mesfushori Sabit Bilalli (Komisioni i Disiplinës i ka shqiptuar pezullim prej 6 muajve pas kartonit të kuq në ndeshjen me Akademia Pandevin). Nga pezullimi kthehet Bruno Dita, ndërsa në kombinim do të jetë edhe mbrojtësi Egzon Bejtullai që humbi tre duelet e fundit për arsye dëmtimi. 

Transmetimi

Përballja Struga Trim&Lum-Shkëndija është në program të shtunën në stadiumin e qytetit në Strugë me fillim në orën 13:00 dhe do të transmetohet drejtëpërsëdrejti RTMV dhe kanalet Arena Sport.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME