Xhiroja e 12-të: Skopje – Shkëndija

No image

Të mërkurën kuqezinjtë u kthehen obligimeve në LPFMV në transfertën me Skopjen, kur nis faza e dytë e kampionatit.

NDESHJA

Skopje vs Shkëndija

Liga e Parë, xhiroja e 12-të

Stadiumi në Autokomandë të Shkupit

E mërkurë, 26 tetor, ora 14:00

Njëmbëdhjetë ditë pas fitores impresive 4:2 në fushë të Rabotniçkit ku triumfin e siguruam me dy lojtarë më pak, Shkëndija do të zhvillojë sfidën e rradhës kampionale. Të mërkurën ndeshemi me Skopjen në Shkup në kuadër të xhiros së 12-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, kur praktikisht fillon faza e dytë e kampionatit, nga gjithsej tre rrethe të parapara. 

Fundjava nuk solli futboll elitar në vendin tonë shkaku i ndeshjes miqësore të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut me Arabinë Saudite në Abu Dabi, ndërsa për takimin në fjalë ishin grumbulluar 5 futbollistë të  Shkëndijës, prej të cilëve 4 kishin minuta (Hasani, Bejtullai dhe Doriev ishin titullarë, Stojanovski u inkuadrua në pjesën e dytë, ndërsa në bankinë mbeti portieri Zahov). Kjo bëri që stafi teknik i Shkëndijës në këtë periudhë mos të kishte në stërvitje gjithë futbollistët, me ekipin që para sfidës me Skopjen zhvilloi vetëm dy seanca stërvitore me formacion të kompletuar (pa llogaritur Elezin dhe Nazifin).

Skopje kishte një pjesë të parë të sezonit për tu harruar, pasi është ekipi me më pak pikë të tubuara pas 11-të xhirove (vetëm 5 pikë me ecuri prej 7 humbjeve, 2 barazimeve dhe vetëm 1 fitore). Shkëndija pikërisht ndaj Skopjes mori fitoren e parë në sezonin e ri kur triumfuam 2:0 në Strugë, ndërsa luajtëm me Skopjen edhe në 1/8 e finales së Kupës kur në Tetovë regjistruam fitore bindëse 5:0. 

Skuadra

Ferhan Hasani dhe Mevlan Murati nuk do të jenë në kombinim për këtë ndeshje shkaku i kartonëve të kuq nga sfida e fundit me Rabotniçkin, ndërsa për arsye pezullimi (karton i kuq nga bankina në sfidën me Bregallnicën) jashta kombinimit është edhe portieri Ferat Ramani. Mungojnë edhe Dashmir Elezi e Zani Nazifi, të dy të grumbulluar me përfaqësuesen U19 të Maqedonisë së Veriut.

Pas një kohe të gjatë më në fund në kombinim për lojë është sulmuesi Valmir Nafiu. 

Transmetimi

Skopje-Shkëndija luhet të mërkurën me fillim në orën 14:00 në Shkup dhe do të transmetohet drejtëpërsëdrejti në kanalin zyrtar të klubit në YouTube (Shkëndija Channel).

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME