Velija: Fanella e Shkëndijës të jep ndjenjë të veçantë

No image

“Respekt gjithëve, por këtu është diçka ndryshe! Statusi që skuadra ka në opinion jo vetëm te ne por edhe jashta kufijve dhe shumë gjëra tjera e bëjnë mjedis shumë interesant Shkëndijën”, shprehet mes tjerash Bashkim Velija. 

I ardhur në merkaton e verës te Shkëndija, mbrojtësi i djathtë Bashkim Velija duket se po shijon maksimalisht kohën me kuqezinjtë. Pas një eksperience një vjeçare me Laçin e Shqipërisë me të cilët luajti dy herë edhe në Kupat e Evropës, ish-lojtari i Renovës kthehet në Maqedoni për të veshur kësaj rradhe për herë të parë në karrierë fanellën e Shkëndijës.

Dua të jem i sinqertë dhe të pranoj se kjo fanellë të jep një ndjenjë të veçantë. Respekt maksimal për klubet e mia paraprake, Laçin ku kalova shumë periudhë pozitive dhe para se gjithash Renovën që më dha gjithçka dhe më mundësoi të promovohem si futbollist profesionist. Por tani këtu se di, është diçka ndryshe, pesha e klubit, statusi që skuadra ka në opinion jo vetëm te ne por edhe jashta kufijve, mbështetja e publikut, pritjet gjithmonë për fitore dhe tituj e bëjnë mjedis shumë interesant Shkëndijën”, shprehet mbrojtësi i djathtë Bashkim Velija.

28 vjeçari fundjavën e shkuar gjeti golin e parë me fanellën kuqezi, duke realizuar bukur pas një aksioni model të Shkëndijës nën regji të F. Ramadanit, Shalës e vetë Velija-s që pasi kombinoi dyfish me Shalën, lëshoi një të majtë precize që u ndal në rrjetën e Rabotniçkit për epërsi 3:2 në momentet kur kishim mbetur me një lojtarë më pak (karton i kuq i Hasanit). Më vonë Shkëndija pa veten me 9-të lojtarë në terren (karton i kuq i Muratit), por kuqezinjtë arritën me dy lojtarë më pak të shënojnë për rezultat final 4:2. 

Ndjenjë e bukur të shënoj gol me fanellën e Shkëndijës, por më së shumti më lumturon fakti që ekipi menaxhoi të fitojë tre pikë në një ndeshje të vështirë ku mbetëm pa dy futbollistë. Natyrisht i lumtur që munda të kontribuoj për këtë sukses, që besoj të na hapë rrugën për një seri të gjatë të fitoreve në ndeshjet e mbetura të gjysmësezonit vjeshtor”, përfundoi Velija. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME