Të shtunën përballemi me Dinamo Kievin

No image

Shkëndija do të zhvillojë testin më të fortë të kësaj faze kur të shtunën në orën 15:00 përballemi me ekipin më të titulluar në Ukrainë, Dinamo Kiev. Ndeshja ishte caktuar të luhet më 7 shkurt, por me marrëveshje të dy klubeve e njejta luhet 24 orë më herët.

Kuqezinjtë kalojnë ditët e fundit të qëndrimit në Antalia të Turqisë në kuadër të fazës përgatitore para fillimit të gjysmësezonit pranveror. Stafi teknik vlerëson pozitivisht punën që ka bërë skuadra dhe njëkohësisht tendenca është që të shfrytëzohen maksimalisht edhe këto ditë të mbetura në tokën turke. Futbollistët me përpikmëri po realizojnë planprogramin dhe i vetmi që ankohet në lëndim është mbrojtësi Jan Krivak, që vazhdon punën jashta grupit.

Armend Alimi që kishte një lëndim më të lehtë është rikuperuar dhe tashmë punon me intensitet maksimal. Skuadra deri në fund ka në program edhe ndeshjen e katërt dhe të fundit kontrolluese, e cila duhej të luhet të dielën, mirëpo me marrëveshje të dy klubeve përballja Shkëndija-Dinamo Kiev do të luhet një ditë më herët, më saktësisht të shtunën me fillim në orën 15:00 sipas kohës tonë lokale.

Dinamo Kiev, një prej rivalëve më të shtrejntë që jemi përballur

Kundërshtari i fundit i kuqezinjëve në këtë fazë përgatitore do të jetë një gjigand i vërtetë i futbollit ukrainas dhe skuadër me emër në Europë. Dinamo Kiev, është ekipi me më shumë tituj në Ukrainë, gjithsej 15-të kampionate të fituara dhe 12-të trofe të Kupës, 8 herë fitues e Super Kupës së Ukrainës, ndërsa ka lënë shenjë edhe në Europë duke fituar dy herë ish-garën europiane Kupa e fituesit të Kupave (UEFA Cup Winners’ Cup), si dhe Super Kupën e UEFA-së në vitin 1976. Vlera e Dinamo Kievit sipas portalit të specializuar për transferime (transfermarkt) për momentin është 118.05 milion euro, dhe ky do të jetë një prej rivalëve më të shtrejntë me të cilët Shkëndija ndonjëherë ka luajtur ndeshje kontrolluese.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME