Të hënën miqësore përballë Dinamo Kievit

No image

Shkëndija do të testojë formën përballë gjigandit ukrainas, Dinamo Kiev në takimin që do të luhet të hënën në “Mardan Palace” në afërsi të Antalias me fillim në orën 15:00 (CET). Për shkak të një dëmtimi të natyrës më të lehtë mungon Ljupço Doriev.

Kuqezinjtë kanë kompletuar 1 muaj prej fillimit të përgatitjeve dimërore. Pas fazës së parë në Tetovë, skuadra nga 25 janari qëndron në Antalia të Turqisë ku vijon fazën e dytë dhe paralel me seancat stërvitore përmes ndeshjeve kontrolluese kërkohet ndërtimi i formës dhe kristalizimi i formacionit ideal për gjysmësezonin pranveror. Deri tani Shkëndija ka zhvilluar tre ndeshje kontrolluese (Voska Sport 2:2, Mura 1:1 dhe CSKA 1948 0:2), prej të cilave vetëm e para është luajtur në Tetovë, ndërsa dy tjerat me skuadrat cilësore nga Sllovenia e Bullgaria janë zhvilluar në Turqi. 

Të hënën (06.02.2023) në program është ndeshja e rradhës kontrolluese dhe kuqezinjtë do të jenë para një testi tepër serioz, kur përballë kemi gjigandin nga Ukraina, Dinamo Kiev. 

Kuqezinjtë në këtë fazë përgatitore vendosën që përballë vetes të kenë kundërshtarë serioz dhe Dinamo Kievi përfundimisht do të jetë rivali më i fortë që do të testojë formacionin aktual të Qatip Osmanit. Ekipi që drejtohet nga trajneri legjendar Mircea Lucescu pas vetes ka 16 tituj kampion të Ukrainës, 13 Kupa dhe 9 trofe të Super Kupës së Ukrainës, ndërsa në të kaluarën e lavdishme kanë të koleksionuar edhe trofe Evropian kur dy herë kanë triumfuar në Kupën e fituesve të Kupave (1975 dhe 1986), derisa në vitin 1976 kanë triumfuar në Super Kupën e Evropës.  

Kjo do të jetë hera e dytë për Shkëndijën të përballet me Dinamo Kievin në kuadër të përgatitjeve në Antalia, pasi për herë të parë jemi përballur më 6 shkurt 2021 kur ukrainasit fituan minimalisht 1:0 me një gol të shënuar në minutën e 85-të nga Bogdan Legnev. Interesant është fakti se edhe tani njejtë si dy vite më parë dueli Shkëndija-Dinamo Kiev luhet në datën 6 shkurt.  

Derisa me ekipin e parë kjo do të jetë hera e dytë të luajmë me Dinamo Kievin dhe sërish në një takim të karakterit miqësor, këto dy ekipe janë ndeshur mes veti në ndeshje zyrtare në kategorinë e të rinjëve, kur në vitin 2019 në kuadër të UEFA Youth League kuqëzinjtë tanë u eliminuan pikërisht nga ekipi U19 i Dinamo Kievit. 

Përballja Shkëndija-Dinamo Kiev luhet të hënën në “Mardan Palace” në afërsi të Antalias me fillim në orën 15:00 sipas kohës tonë, ndërsa ora 17:00 sipas kohës lokale në Turqi. 

Ndeshjet kontrolluese: 

Shkëndija 1-1 NK Mura (28.01.2023)

Shkëndija 0-2 CSKA 1948 Sofje (31.01.2023)

Shkëndija – Dinamo Kiev (06.02.2023)

Shkëndija – Valmiera (09.02.2023)

SHPËRNDAJE

About Author

TË NGJASHME