Shuhet autori i golit të parë zyrtarë, Shani Fetai

No image

Saktë në jubileun e 40-të vjetorit të themelimit të Klubit të futbollit Shkëndija është ndarë nga jeta anëtari i gjeneratës së parë të vitit 1979 të cilët jetësuan ëndërën e rinisë tetovare për të pasur një klub futbolli. Të hënën (11 nëntor) në Tetovë u varros Shani Fetai, i cili u nda nga jeta të dielën në moshën 59 vjeçare, duke humbur betejën me një sëmundje të rëndë.

Kush ishte Shani Fetai?

Bëhet fjalë për njeriun pas emrit të të cilit qëndrojnë dy golat e parë zyrtarë në historinë e Shkëndijës. Shani Fetai ishte pjesë e formacionit të parë që në vitin 1979 zhvilluan ndeshjen e parë zyrtare në Ligën Komunale përballë KF Kosmos nga fshati Podbredje e Tetovës. Ndeshja u zhvillua në terrenin ndihmës pranë stadiumit të vjetër të qytetit në praninë e rreth 2000 tifozëve. Shkëndija fiton bindshëm 4:0. Autor i golit të parë dhe të dytë ishte pikërisht tashmë i ndjeri Shani Fetai, golin e tretë e shënoi Pajazit Arifi dhe të katërtin, i ndjeri Namik Ramadani.

“Shani Fetai ishte një djalë shembullor, shok i vyer dhe punëtor i zellshëm. Kujtoj sikur të ndodh tani ndeshja e parë zyrtare dhe dy golat e tij kundër Kosmos-it. Më vonë do të shënoja edhe unë dhe i ndjeri Namiku. Ishin kohë të vështira, por të bukura e që i kujtojmë me kënaqësi të madhe, për më shumë që klubi tashmë prek nivele shumë më të larta. Ngushllime për familjen Fetai dhe gjithë ata që e njohën tashmë të ndjerin“, kujton me nostalgji Pajazit Arifi, i cili shënoi emrin e tij në listën e golashënuesve në ndeshjen e parë zyrtare në historinë e Shkëndijës, bashkë me tashmë të ndjerët Shani Fetai dhe Namik Ramadani.

“Në emër të klubit dhe në emrin tim personal përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe gjithë të afërmit e të ndjerit Shani Fetai. Ne që kemi të mbjellur thellë në zemër dashurinë ndaj Shkëndijës i përjetojmë me shumë emocion të gjithë ata që kanë kontribuar në ngritjen e emrit “Shkëndijë” dhe Shani Fetai si autor i dy golave të parë padyshim se është emër që do mbetet gjithmonë i shkruar në historinë e klubit”, thotë Agim Ibraimi, i cili si autor i dy golave të fundit të Shkëndijës në fitoren 2:1 të dielën kundër Rabotniçkit, flet me dhimbje për autorin tanimë të ndjerë të dy golave të parë zyrtar të KF Shkëndija.

Klubi i futbollit Shkëndija shpreh ngushllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e tashmë të ndjerit, Shani Fetai. 

Share Now

Related Post