Shkëndija U 18 fiton në goleadë me Renovën

No image

Skuadrat e kadetëve të Shkëndijës dhe Renovës zhvilluan një përballje shumë interesante me shumë kthesa, 6-të gola të shënuar dhe fitore 4:2 të “kuqezinjëve”.

 Shkëndija U 18 fiton 4:2 Renovën në një takim tepër nxitës që në dy raste shihte “kuqezinjtë” në negativë. Dy ekipet zhvilluan 15-të minuta të para të “çmendura” kur u shënuan 4 gola për simetri 2:2, ndërsa në vazhdim Shkëndija theu rezistencën dhe arriti të gjejë rrugën e fitores. Fillimi i furishëm solli epërsi për Renovën kur Zeqiri realizoi pa kaluar dy minuta lojë. Shkëndija përgjigjet shpejt dhe në minutën e 5-të Atmir Bakija barazon shifrat në 1:1. Skuadra e drejtuar nga Berat Imeri provoi përmbysje të shpejtë, mirëpo epërsinë sërish e gjen kundërshtari kur në minutën e 12-të Ramadani realizon për 1:2. Rëmuja e golave të shpejtë nuk përfundoi këtu pasi në të 15-ën Genc Gashi shënon për 2:2 duke futur ndeshjen në një qetësi disa minutëshe. Pasi efikasiteti për një çerek ore ishte në nivel të lartë, skuadrat konsoliduan mbrojtjet dhe tentonin autoritetin në terren ta sjellin përmes lojës më të sigurtë dhe në këtë drejtim më e suksesshme doli Shkëndija që në minutën e 42-të me anë të Agon Hajredinit për herë të parë në këtë ndeshje sheh veten në epërsi. Me rezultat 3:2 u shkua në pushim, ndërsa fraksioni i dytë dalloi shumë nga e para. Tani Renova pretendonte të barazojë, “kuqezinjtë” luanin sigurtë, për të dhënë goditjen e fundit në minutën e 50-të kur Miran Memishi rriti epërsinë në 4:2. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe fitorja me meritë i takoi skuadrës U 18 të Shkëndijës.  

 

SHKËNDIJA U 18 – RENOVA U 18 4:2 (3:2)
Golashënues: 0:1 Zeqiri 2’, 1:1 Bakija 5’, 1:2 Ramadani 12’, 2:2 Gashi 15’, 3:2 Hajredini 42’, 4:2 Memishi 50’
SHKËNDIJA U 18: Abazi, Mustafa, Ramiq, Karimani, Adh. Ramadani, Alb. Ramadani, Hajredini, Memishi, Shahini, Bakija, Gashi.
Luajtën edhe: Rexhepi, Jakupi, Thaçi, Sinani dhe Arsllani.
Trajner: Berat Imeri