Shkëndija jep 9 reprezentues në pauzën ndërkombëtare

No image

Mbrojtësit Visar Musliu dhe Egzon Bejtullai do të jenë pjesë e Maqedonisë në takimet eliminatore për EURO 2020. Shefiti dhe Imeri marin ftesë nga Shqipëria U21, Sadriu me shpresat e Kosovës, ndërsa katër lojtartë të rinjë kuqezi grumbullohen me përfaqësueset U19 të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Pauza ndërkombëtare e kampionatit për zhvillimin e ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese gjen të angazhuar sërish më shumë futbollistë të Shkëndijës. Gjithsej janë nëntë kuqezinjë që do të angazhohen me përfaqësueset respektive të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Seleksionuesi i përfaqësueses A të Maqedonisë, Igor Angellovski në start të eliminatoreve për EURO 2020 sërish llogarit në dy mbrojtësit e Shkëndijës, Visar Musliu dhe Egzon Bejtullai. Pas paraqitjeve të suksesshme me kuqezinjtë, si dhe me Maqedoninë në Ligën e Kombeve, tashmë dyshja e Shkëndijës do të jetë e angazhar në dy sfidat e para të ciklit eliminator për Kampionatin Evropian. Maqedonia më 21 mars në Shkup përballet me Letoninë, ndërsa më 24 mars në program është transferta me Slloveninë në Lubljanë.

Shqipëria U21 llogarit në Omar Imerin dhe Shefit Shefitin për dy ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues për Kampionatin Evropian për të rinjë. Shqipëria U21 më 23 mars në terren vendas përballet me Turqinë, ndërsa tre ditë më vonë (26 tetor) pason transferta me Andorën U21.
Leard Sadriu do të jetë pjesë e përfaqësueses U21 të Kosovës me të cilët do të luajë dy miqësore më 24 dhe 26 mars kundër Turkmenistanit dhe Maltës në Antalia të Turqisë.
Ndërkohë katër futbollistë të rinjë kuqezi do të jenë pjesë e miqësoreve të përfaqësueseve U19 të Maqedonisë dhe Shqipërisë, nga dy për secilën. Seleksionuesi i Maqedonisë, Goran Staniq ka ftuar Ramin Alii-n dhe Kushtrim Tairin, ndërsa në taborin e kuqezinjëve U19 janë ftuar Neshat Murati dhe Almir Rexhepi. Takimi i parë Shqipëri U19-Maqedoni U19 luhet më 24 mars në Korçë, ndërsa dy ditë më vonë (26 mars) pason testi i dytë në Ohër.