Shkëndija dhe Ibraimi injorojnë ofertat, sulmuesi mbetet ‘kuqezi’

No image

‘Kuqezinjtë’ përfundimisht do të sulmojnë me Besart Ibraimin edhe sezonin garues 2016/2017, pasi përkundër ofertave të shumta nga klube të jashtme, kryesia dhe kërçovari kanë vendosur të injorojnë të njëjtat. Për të marrë më të mirët e Shkëndijës duhet të jepen miliona euro për klubin dhe lojtarin.

Disa ditë para mbylljes së merkatos për transferim të futbollistëve vjen lajm i mirë për Shkëndijën dhe tifozët ‘kuqezi’. Paraqitjet e shkëlqyeshme të klubit në eliminatoret e Liga Europës kthyen sytë e shumë skuadrave me renome drejt futbollistëve të Shkëdijës, ndërsa njëri prej më të kërkuarit ishte Besart Ibraimi. Autori i 26-të golave të sezonit të kaluar dhe 4 realizimeve në 8-të ndeshjet e Shkëndijës këtë verë në Liga Europa kërkohej me ngulm nga klube të forta nga vende të ndryshme europiane. Nuk është fshehtësi se çdo futbollist dëshiron të luajë jashta vendit në ekipe prestigjioze, mirëpo gjithashtu nuk është fshehtësi se Shkëndija tanimë po sjell Europën në vendin tonë, duke parë rritjen që po shënon ekipi nën ombrellën e kompanisë Ecolog. Ka mjaftuar një takim i futbollistit me drejtuesit e klubit për të dalë me vendim se do të injorohet çdo ofertë deri në fund të merkatos dhe se Ibraimi do të jetë pjesë e Shkëndijës edhe në sezonin e ri garues 2016/2017. Ofertat në adresë të klubit janë mirënjohje për punën që bën skuadra dhe futbollistët, mirëpo kur Shkëndija ka ambicie për të vazhduar rritjen graduale, për të marrë ndonjërin prej futbollistëve kryesor duhet ofertë milionëshe.
Mbajtja e njërit prej futbollistëve më të mirë tregon edhe një herë qartë ambiciet serioze të Shkëndijës edhe për sezonin që tanimë ka filluar, ku kërkohet titulli i kampionit dhe mbrojtja e trofeut të Kupës.