Shefiti: Të shënoj për Shkëndijën, realizim i ëndrrës

No image

“Kuqezinjtë” të dielën në Shkup deklasuan 2:6 Rabotniçkin në kuadër të xhiros së 5-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, duke shënuar një prej fitoreve më bindëse në historinë e klubit në një ndeshje zyrtare të elitës vendore. Kjo ishte hera e parë në gjithë historinë e “kuqezinjëve” që realizohen 6-të gola në një ndeshje të Ligës së Parë dhe interesant është fakti se goli i rekordit në të njëjtën kohë ishte i pari zyrtar për Shefit Shefitin.

Sulmuesi 19-të vjeçar i Shkëndijës, kampion i vitit të kaluar me ekipin U 19 dhe realizator i qindra golave në kategoritë e reja, të dielën kundër Rabotniçkit në minutën e 83-të me kokë dërgoi topin në rrjetën kundërshtare, duke shënuar golin e parë zyrtar me të riturit, pa qenë i vetëdishëm se me këtë po shënonte një rekord historik për Shkëndijën. Shefiti pas golit debutues shprehet i lumtur, ndërsa beson se kjo do të jetë shtytje për të vazhduar të punojë edhe më shumë në drejtim të ngritjes së nivelit për arritje të sukseseve tjera.