Sezoni mbyllet me pranimin e trofeut kundër Pelisterit

No image

Kuqezinjtë janë gati të mbyllin sezonin më të suksesshëm në historinë e klubit, kur të dielën pas përballjes së xhiros së 36-të me Pelisterin në Tetovë do të pranojnë trofeun për titullin e fituar. Ndeshja nis në orën 16:15, ndërsa ceremonia e trofeut do të zhvillohet pas përfundimit të ndeshjes.

 

Shkëndija të dielën zhvillon aktin e fundit të sezonit garues 2017/2018 kur përballë Pelisterit mbyll këtë kampanjë jashtëzakonisht të suksesshme në të cilën siguroi titullin e kampionit shtatë xhiro para fundit në mënyrë bindëse para rivalëve. Përballja e fundit do të jetë formalitet pas së cilës do të pranohet trofeu për titullin e fituar, por stafi teknik dhe futbollistët edhe këto 90-të minuta i shikojnë në mënyrë shumë profesionale. Ashtu si 35 ndeshjet paraprake, kuqezinjtë janë të vendosur për të respektuar edhe këtë përballje të fundit për të zbukuruar ditën festive të klubit. Edhe pse ndjehet euforia e festës që përgatitet, ekipi ka tentuar të mbajë fokusin të puna dhe skuadra duket e gatshmë për të synuar të mbyllur sezonin me fitore. Trajneri Osmani në disponim ka gjithë futbollistët, në përjashtim të Mevlan Muratit që mungon shkaku i pesë kartonave të verdhë.

Përballja Shkëndija-Pelisteri luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 16:15.