Sezoni i ri në LPFM nis kundër Sileksit, në Kupë me Konjarin

No image

Shkëndija do të përballet me Sileksin në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Ndërkohë në kuadër të Kupës së Maqedonisë, në 1/16 e finales Shkëndija do të përballet me Golemo Konjarin.

Sot në hapsirat e Federatës së futbollit të Maqedonisë është hedhur shorti për kalendarin e ndeshjeve për sezonin garues 2016/2017 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. ‘Kuqezinjtë’ në start më 7 gusht në orën 17:30 do të luajnë si vendas, ndërsa kundërshtar do të jetë Sileksi nga Kratova. Derbi i parë i madh me Vardarin në program do të jetë në kuadër të xhiros së dytë më 14 gusht në Shkup.

Në sezonin e ri do të luhet me sistem të ri të garave, do të ketë gjithsej 4 raunde me nga 9 xhiro, apo gjithsej 36 xhiro, por për dallim nga e kaluara nuk do të ketë play-off dhe play-out.

Sezoni i ri garues në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë do të nis më 7 gusht, ndërsa do të zgjasë deri në maj të vitit 2017. Nga 4 dhjetori i vitit 2016 deri më 19 shkurt të vitit 2017 do të jetë pauza dimërore.

Mbrojtja e Kupës nis nga Golemo Konjari

Ndërkohë në kuadër të Kupës së Maqedonisë, në 1/16 e finales Shkëndija do të përballet me Golemo Konjarin. Kjo fazë e garave sjell vetëm një ndeshje dhe ‘kuqezinjtë’  mbrojtjen e trofeut të Kupës e nisin si mysafirë me 17 gusht.