Reshat Ramadani: “Në pranverë synojmë edhe kampionatin edhe Kupën!”

No image

Mesfushori 19-të vjeçarë i Shkëndijës, Reshat Ramadani zhvillon sezonin e tij të dytë me ekipin e parë të Shkëndijës. Pas 7-të paraqitjeve në sezonin e shkuar, më i riu nga vëllezërit Ramadani këtë sezon ka fituar më shumë protagonizëm, duke u paraqitur në 14-të nga 16-të ndeshje kampionale të Shkëndijës, 10-të prej të cilave si titullar, derisa luajti edhe në 5 takime evropiane verën e shkuar. Në sezonin e kaluar mesfushori defanziv realizoi një super gol në barazimin 1:1 me Strugën, ndërsa në mbyllje të vitit 2022 dhuroi një asist deçiziv në fitoren 3:1 në fushë të Makedonija Gj.P.. I lidhur me Shkëndijën me kontratë deri në verën e vitit 2027, Reshat Ramadani beson se ekipi do të kthehet në nivelin e viteve më parë kur kuqezinjtë dominonin skenën vendore, derisa paraqiteshin me sukses edhe në Kupat e Evropës. Në një intervistë për web faqen zyrtare të klubit, Reshat Ramadani ka folur për fazën e parë të përgatitjeve dimërore, pritjet në pranverë, përvojnë e tij me ekipin e parë, por edhe për Kupën e Botës që u zhvillua në fund të vitit të shkuar.

Intervista me Reshat Ramadanin

Si e komenton Kampionatin Botëror “Qatar 2022”?

R. Ramadani: “Turne shumë interesant dhe pak i pazakontë në raport me atë që ishim mësuar të shohim në të kaluarën. Ka patur ndeshje të forta dhe shumë interesante. Realisht fakti që u luajt në dimër edhe na kufizoi mos t’i shohim gjitha ndeshjet, sepse ka ndodhur shkaku i angazhimeve personale edhe të na ik ndonjë takim. Më së shumti kam ndjekur Brazilin dhe Francën. Edhe pse që në fillim isha me Argjentinën shkaku i Messit, megjithatë Brazili e Franca më dukej se prodhonin diçka më tepër dhe mendoja se do diskutonin titullin. Në finale u pa se Argjentina ishte më e vendosur për të fituar. Edhe pse Franca u kthy dhe shumë persona ishin të bindur se do të përmbysnin gjithçka, unë kisha një besim se ata do të ishin fitues të Kupës së Botës dhe në fund ashtu doli, edhe pse triumfi erdhi përmes penaltive.”

Messi me meritë doli më i miri? Dhe cili lojtar të pëlqeu në pozitën tënde?

“Sigurisht se ky ishte Botërori i Messit. Thjesht një magjistar në terren të futbollit. Në pozitën ku luaj unë jashtë mase më ka pëlqyer Enzo Fernandez i Argjentinës, por edhe Sofyan Amrabat i Marokut.”

Si kalove pushimin dimëror?

“Realisht kisha pasur nevojë për pak pushim, pasi një sezoni të vështirë dhe intensive sezonin e shkuar, pastaj verës me ndeshjet Evropiane dhe gjysmëstinorin vjeshtor të kësaj kampanje. Edhe pauzat kampionale unë nuk kam pushuar shkaku i angazhimeve me ekipin përfaqësues, kështu që ky pushim tash më erdhi mirë. Gjithsesi nuk është se kam qenë komplet pasiv. Përkundrazi, jam stërvitur individualisht, më së shumti në aspekt kondicional. Fatkeqësisht u desh të operoja një dhëmb dhe si pasojë 5 ditë është dashur mos kem aktivitet fizik.”

Kalimi nga ekipet e moshave në ekipin e parë të Shkëndijës a solli ndonjë ndryshim?

“Sigurisht, kur kam kaluar në ekipin e parë gjithçka ishte ndryshe në raport me atë që isha mësuar më herët. Më duhej kohë të njihem dhe përshtatem me bashkëlojtarët, pastaj edhe kur merrja shans të luaj ishte shumë më e vështirë se të moshat. Natyrisht duke kapur ritmin gjërat bëhen të zakonshme dhe fillon të adaptohesh me gjithçka. Normal, të isha pjesë e ekipit të parë të Shkëndijës nënkuptonte se tashmë çdokush që ka lidhje me futbollin më njihte dhe jashta fushës kam një tjetër vëmendje.”

Si është ndjenja të luash me vëllaun (Florent Ramadani) në një skuadër?

“Është diçka e papërshkrueshme dhe unike. Të të shikojë familja se dy djemtë luajnë në ekipin e parë të një ekipi si Shkëndija është ndjenjë shumë e mirë. Ne e dimë se nuk luajmë vetëm për veten, por e përfaqësojmë edhe familjen.” 

Ndodh që vëllau më i madh Florenti (22 vjeç) të të bërtasë në terren?

“Më herët e bënte, hahaha (qeshet), por tani më nuk e bën. Tash është qetësuar. Kur hyra në fillim në ekip të parë e kisha mbi kokë. Mbase tani e kupton se jam adaptuar dhe ne bëjmë detyrat që na jep stafi teknik.” 

Është e vështirë të jesh në ekipin e parë si lojtar i shkollës së Shkëndijës?

“Për mua kjo pjesë nuk është aspak e vështirë. Normal, tani kam më shumë miq, të gjithë më njohin, por unë e dij se cilat janë detyrat e mia. Sillem mirë me të gjithë, mundohem të respektoj secilin dhe në terren gjithmonë jap 100% të mundësive të mia.” 

Tashmë luan sezonin e dytë me ekipin e parë, jep në fushë atë që bëje te moshat apo akoma presioni është i pranishëm?

“Shikoni, fanella e Shkëndijës peshon shumë, lehtë nuk e ka asnjë përforcim që vjen edhe me përvojë në klube tjera, jo më të jesh lojtar që vjen nga shkolla. Mirëpo si kalon koha edhe unë fitoj përvojë dhe përshtatem më shumë. Tashmë ndjehem shumë më lirë, por natyrisht se nuk mund të them se është njejtë si në Akademi, sepse atje isha kapiten dhe kisha më shumë liri.”


Na thuaj si u ndjeve kur ajo e djathtë e fortë e jotja u ndal në rrjetën e Strugës për gol të parë me seniorët?

“Ndjenjë shumë e bukur. Se besoja në moment të parë se do godas saktë, sepse pranova topin që më kërceu pak keq. E kam goditur me sa forcë që kisha dhe lumturia s’kishte fund kur pashë se rezultoi një super gol. Shto faktin se ishte minuta e fundit, ndeshja e fundit…shumë moment i bukur. Nuk është se kam shënuar shumë gola edhe me moshat e reja, prandaj ai gol mbetet shumë i veçantë.”

Më i bukur njëri prej golave të Florentit kundër Vardarit apo i yti me Strugën?

“Hahaha (qeshet). Sigurisht goli im ndaj Strugës, hahah… Por golat e Lentit (Florentit) kishin vlerë tjetër shkaku i rivalit.”

Shkëndija në janar është përforcuar me disa futbollistë, si të duket skuadra pas 10-të ditëve stërvitje?

“Ekipi më duket mirë, normal duhet të shohim si do shkojnë gjërat dhe të kapim ritmin. Përforcimet duken çuna të mirë, kryesia do t’i ketë analizuar para se t’i angazhojë, kështu që presim të na ndihmojnë në arritjen e objektivave.”

9 pikë larg vendit të parë dhe në gjysmëfinale të Kupës. Çka fiton Shkëndija në fund të sezonit?

“Shkëndija në pranverë fiton edhe kampionatin edhe Kupën!”

Faza e parë e përgatitjeve gjithmonë është më e vështirë sepse punohet pa top dhe në aspekt fizik. Është e lodhshme?

“Jo, realisht. Në fakt duket e pazakontë, por mua më së shumti më pëlqen të stërvitem në mëngjes fitnes dhe në aspekt kondicional, se sa pas dite në terren me top. Shumë lojtarë këtë fazë nuk e duan, por unë ndjehem mirë dhe e dij se forca e përgatitja që po grumbullojmë tani, do na shërbejë shumë gjatë kampionatit.”

Çka duhet të ndodh në muajt e ardhshëm që në verën e vitit 2023 Reshati të jetë i kënaqur?

“Titulli kampion sigurisht! T’i marrim gjërat me rradhë, të përgatitemi mirë fillimisht, më pas të eliminojmë negativën me kreun dhe sigurisht duke kapur vendin e parë të menaxhojmë mirë edhe gjysmëfinalen e Kupës. Me dy trofe do të ishte fund ideal i sezonit. Natyrisht uroj edhe unë të kontribuoj me paraqitje të mira dhe në verë pse jo edhe një transferim për mua jashta vendit.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME