Radeski: ‘Përjetoj një fillim të ri me Shkëndijën’

No image

Pesë fitore të njëpasnjëshme në kampionat kanë çuar kuqezinjtë në 12-të pikë larg vendit të dytë dhe në kushte kur titulli i kampionit duket se afrohet me hapa të sigurtë, krejt e natyrshme është atmosfera e shkëlqyeshme brenda grupit. Kreu, fitoret, seria pozitive, paraqitjet e mira gjithsesi se janë arsyet që sjellin atmosferën, por te Shkëndija javët e fundit ka edhe një shkak shtesë për të qenë i gëzuar.


Marjan Radeski! Sulmuesi i lënduar rëndë dhe me ligamente të operuara më në fund është kthyer të luajë me kuqezinjtë. Pak minuta në Kratovë kundër Sileksit dhe sërish aktivizim nga pankina në Tetovë kundër Pobedës. Kaq mjaftoi që Radeski të jep sinjalet e tij se 8 muaj më vonë është në rrugë për të kapur formën që kishte para se të lëndohet, duke shënuar gol në fitoren 5:2 nga prilepasve. Dhe kjo nuk është e tërra, pasi në ndeshjen e fundit me Renovën, trajneri Osmani e inkuadroi si titular dhe efekti i sulmuesit ishte goli i dytë që solli fitoren 2:1 kundër Renovës.

 

“E kam pritur gjatë kthimin, kam motivuar veten në mënyrë shtesë, duke e fiksuar në kokë se me punë dhe përkushim do të kthehem më i fortë dhe më i mirë. Kam punuar maksimalisht për tu kthyer dhe tani për fat të mirë jam shëndosh e mirë dhe për më shumë edhe kam mundur të shënoj gola. Kjo gjë më kënaq dhe më motivon edhe më shumë, skuadra ec mirë dhe gjithmonë suksesi i ekipit është në plan të parë”, shprehet për faqen e klubit Marjan Radeski, i cili tashmë kur ka lënë pas lëndimin e rëndë, uron që askush tjetër të mos përballet me diçka të tillë.

“Dëshira ime është që askush tjetër mos të lëndohet si unë apo edhe disa bashkëlojtarë tjerë që pësuan të njejtin dëmtim. Është lëndim i rëndë që të mban për një periudhë të gjatë jashta terreneve. Ne futbollistët pa stërvitje dhe ndeshje jemi të vdekur. Normal jam i lumtur për kthimin, por ende nuk jam në formën time optimale dhe duhet akoma shumë punë.”

Shkëndija hapëron sigurtë drejt mbrojtes së titullit të kampionit, ndërsa për Radeskin ky sezon ka filluar vetëm para katër xhirove. Pauzë e gjatë për një futbollist profesionist që terrenin e ka përditshmëri dhe ‘ndarja’ me të është si dënim.

“Të kthehesh pas një viti është sikur të jetë një fillim i ri. Është normale që në këtë fazë nuk jam në formën që kisha para lëndimit, por besoj se ngadalë do të kthehem. Ekipi dhe stafi teknik gjithë kohën më kanë mbështetur për t’u kthyer sa më i fortë dhe besoj se së shpejti do shohim ‘Radeskin e vjetër”, thotë Radeski i cili nuk ka kurfarë dileme në lidhje me mbrojtjen e titullit në kampionat.

“Sigurtë fitojmë. Jemi kampionë pa konkurencë”, flet me i bindje sulmuesi nga Prilepi që zbulon përcaktimet e tij dhe të skuadrës për periudhën që pason.

“Në kushte kur dominojmë kampionatin duhet që duhet ta shfrytëzojmë këtë periudhë dhe këto ndeshje për tu përgatitur për atë që na pret në Evropë dhe që për ne është më e rëndësishme. Tre vite rradhazi luajmë në Play Off të UEFA Europa League dhe shpresoj e dëshiroj që këtë vit të shkojmë një hap më tej dhe të kapim fazën e grupeve”, përfundoi sulmuesi 24 vjeçar, Marjan Radeski.