PREVIEW: Shkupi vs Shkëndija

No image

Kuqezinjtë kërkojnë fitoren e tretë në katër xhirot e para në gjysmësezonin pranveror, kur të dielën në kuadër të xhiros së 22-të përballen në transfertë me Shkupin.

Tjetër fundjavë, tjetër ndeshje kundër një rivali nga Shkupi për KF Shkëndija. Kuqezinjë do të luajnë si mysafirë me FC Shkupin që është rivali i tretë nga kryeqyteti në këto katër xhiro të para pranverore, ndërsa djemtë e trajnerit Qatip Osmani synojnë të ruajnë apo edhe përmirësojnë epërsinë prej 9-të pikëve në krye të tabelës. Pas triumfit me Bellasicën ekipi ka punuar gjithë javën me vëmendje për sfidën e rradhës dhe ekipi duket i gatshëm për këtë sfidë.

Të rejat në skuadër

Ndeshja me FC Shkupin nuk është pa kokëdhimbje për stafin teknik që shkaku i pesë kartonave të verdhë humb dy lojtarë titullarë. Kapiteni Armend Alimi dhe mbrojtësi i djathtë Mevlan Murati xhiron e shkuar me Bellasicën kompletuan numrin e kartonëve që sjellin pezullim prej një ndeshje dhe të dy mbesin jashta kombinimit për takimin në Çair. Lojtarët tjerë janë të gatshëm për konkurim dhe stafi teknik para ndeshjes do të vendos për formacionin që do të nisë takimin e xhiros së 22-të.

 

Kundërshtari

E diela përball mes veti dy ekipet me ecurinë më të mirë në kampionatin vendor në tre xhirot e para të gjysmësezonit pranveror, pasi Shkëndija dhe Shkupi janë dy ekipet e vetme që kanë ecuri prej dy fitoreve dhe një barazimi. Kjo seri ka bërë çairasit të ngjiten në pozitën e pestë dhe të ushqejnë ambicie evropiane që kësaj ndeshje i jep vlerë shtesë.

Sa i përket traditës, FC Shkupi është një prej kundërshtarët më të pëlqyer të kuqezinjëve, ndaj të cilëve në 16-të ndeshje (prej kur luajnë me emrin FC Shkupi) bilansi është 11 fitore për Shkëndijën, 4 barazime dhe vetëm një fitore për ekipin nga Çairi (Shkupi fitoren e vetme e ka shënuar në tetor të vitit 2016 në Tetovë). Dy duelet e para të këtij sezoni u takuan kuqezinjëve që fitonin 2:1 në Çair, ndërsa në Tetovë rezultati ishte 3:0. Përballja e re vjen me ambicie të vjetra dhe Shkëndija shkon në triumf të tretë sezonal ndaj këtij rivali.

 

Përballja Shkupi-Shkëndija zhvillohet të dielën në stadiumin në Çair me fillim në orën 14:00.