PREVIEW | Shkëndija vs Bellasica

No image

Me përcaktim për fitore të re kuqezinjtë të dielën në orën 14:00 në Tetovë presin Bellasicën e Strumicës në duelin e xhiros së 21 në LPFM.

Shkëndija kërkon të rikthehet në rrugën e fitores, pasi triumfit të dy javëve më parë me Vardarin i’u bashkangjit barazimi në transfertën me Makedonija Gj.P.. Pa shumë dramë dhe me bindjen e një dite të keqe stafi teknik ka kthyer fokusin kah ajo që pason dhe në këtë drejtim të dielën kërkohet fitore përballë Bellasicës së Strumicës në Tetovë. Skuadra ka punuar gjithë javën enkas për këtë sfidë, ndërsa në kuadër të përgatitjeve trajneri Osmani pati mundësi të shohë formën e lojtarëve me më pak minutazh në miqësoren e të mërkurës me Gostivarin.

Të rejat në skuadër
Egzon Bejtullai kthehet në konkurim pasi humbi transfertën me Makedonija Gj.P. shkaku i pesë kartonave të verdhë. Mbrojtësi qendror pritet të rikthehet të përbëjë vijën e fundit të skuadrës bashkë me Musliun, Muratin dhe Micin. Ndërkohë në takimin kontrollues me Gostivarin për herë të parë pas më shumë se 7 muaj u paraqit sulmuesi anësorë, Marjan Radeski. I rikuperuar pas operimit të ligamenteve të kryqëzuara, Radeski zhvilloi 20-të minutat e para dhe tashmë stafi teknik ngadalë mendon për futjen e tij në konkurim, gjithnjë duke e patur kujdes shkallën e lëndimit nga i cili kthehet.

Kundërshtari
Xhiroja e 21 sjell përballje me një prej dy ekipet më të rezikuara në renditje. Bellasica bashkë me Pobedën mbajnë dy vendet e fundit me nga 18-të pikë të tubuara në 20-të xhirot paraprake. Bellasica e rikthyer në elitën e futbollit vendor pas shumë viteve, përballet me vështirësinë e rezultateve përkundër tentimeve për të përforcuar ekipin me lojtarë cilësorë. Gjysmësezonin pranveror e nisën me barazim në transfertën me Pobedën, ndërsa xhiron e shkuar humbën 0:1 derbin e qytetit me Akademia Pandev.

Serisë së keqe i shtuan humbjen 0:1 në fundjavë nga Makedonija Gj.P. në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës. Dy përballjet mes veti të këtij sezoni Shkëndija i fitoi bindshëm (4:1 në Tetovë dhe 0:2 në Strumicë) dhe tash kërkohet suksesi i tretë. Ky rival rezulton i mbarë për sulmuesin Izair Emini që numëron katër gola në dy ndeshje (3 në Tetovë dhe një në Strumicë).

Shkëndija-Bellasica luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:00.