PREVIEW | Pobeda vs Shkëndija

No image

E diela sjell ndeshjet e xhiros së 34-t në LPFM kur Shkëndija tashmë kampione edhe e këtij sezoni përballet si mysafire në Koçani me Pobedën e rënë nga kategoria elitare.

I pari me të fundit bën gjithmonë lideri favorit absolut në një duel mes dy ekipeve me kahje krejtësisht të kundërta. Shkëndija tashmë mendon për eliminatoret e UEFA Champions League, ndërsa Pobeda mbetet të ‘shijojë’ edhe vetëm tre takime në elitë, pasi nga sezoni i ardhshëm kthehet të luajë në rangun e dytë të futbollit vendor. Plotë 50-të pikë është diferenca mes dy ekipeve që mbajnë ‘polet’ e kundërta të tabelës. Tre xhiro deri në fund të sezonit aktual Shkëndija ka siguruar titullin dhe në duelin me Pobedën hyn e relaksuar dhe me qetësi për tu dhënë shansin të luajnë gjithë futbollistëve. Pasi të shtunën e kaluar kuqezinjtë edhe matematikisht mbyllën garën për titullin e kampionit, të mërkurën barazuan pa gola me Sileksin në Tetovë, ndërsa tashmë vëmendja është kthyer ka sfida e fundit jashta në këtë sezon duke llogaritur faktin se kampanjën e mbyllim me ‘transfertën’ me Renovën.

Të rejat në skuadë
Ashtu si paralajmëroi dhe ndërkohë edhe veproi në ndeshjet e kaluara, shefi i stafit teknik Qatip Osmani deri në fund të sezonit do të luajë me formacion të kombinuar. Në kushte kur objektivi është arritur, ideja është që këto takime deri në fund të shfrytëzohen për tu dhënë shansin të luajnë të gjithë futbollistëve. Pa pezullime dhe lëndime shtesë, jashta kombinimit mbeten vetëm Besart Ibraimi e Kostadin Zahov, ndërsa para ndeshjes stafi teknik do të vendosë për lojtarët të cilët do t’i lë të lirë për këtë takim.
 

 

Kundërshtari
Bazuar në efektin e këtij sezoni dhe pozitën e fundit në renditje, Pobeda rezulton ekipi më i dobët në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë në sezonin garues 2018/2019. Nëse forca e Shkëndijës shihet nga fakti që disa xhiro para fundit u sigurua titulli, krejtësisht e kundërta për prilepasit që në të njejtën kohë humbën edhe matematikisht gjasat për mbijetesë. Në 15 ndeshje kampionale dhe dy të Kupës në vitin 2019 Pobeda numëron vetëm një fitore, tre barazime dhe 13 disfata, ndërsa pas befasisë që i bënë Rabotniçkit pesë xhiro më parë në triumfin e vetëm pranverorë, për momentin janë në seri prej 4 humbejve resht, përfshi një debakël 9:1 në transfertën me Renovën. Duelin e fundit mes veti Shkëndija e fitoi me shifrat 5:2, ndërsa paraprakisht kuqezinjtë si mysafirë të Pobedës në Turnovë fitonin me rezultat 2:0.

Me probleme të mëdha administrative e finansiare, krahas rezultateve të dobëta ky sezon do të mbahet mend për ‘shëtitjet’ e Pobedës në aspekt të fushës vendase. Me stadiumin e Prilepit që nuk ofron kushte për lojë, Pobeda ka përdorur më shumë terrene si fusha vendase dhe takimin me Shkëndijën kanë vendosur ta zhvillojnë në Koçani të dielën me fillim në orën 16:30.