Pas një beteje të humbur, Shkëndija vazhdon luftën në kampionat

No image

‘Kuqezinjtë’ të mërkurën përballen me Shkupin në ndeshjen e xhiros së 3-të të LPFM-së e cila nuk u zhvillua në terminin paraprak për shkak të angazhimeve të Shkëndijës në Europa League, ku skuadra arriti deri në fazën e play-offit. Humbja me Vardarin dhemb, por Shkëndija pretendon se mund të rikthehet për të luftuar kampionatin.

2

Pas disfatës nga Vardari të dielën e shkuar, Shkëndija të mërkurën ka përballje tjetër kampionale, kur në Tetovë pret Shkupin në duelin e xhiros së tretë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Takimi ishte paraparë të luhet më 21 gusht, mirëpo u shty për shkak të angazhimeve të Shkëndijës në eliminatoret e Europa Leagues ku ekipi bëri historinë dhe arriti deri në fazën e play-offit për hyrje në grupe. Tani kjo përballje është mundësi e mirë që ekipi me fitore eventuale të afrohet sërish dy pikë pranë kreut, për të qenë afër në luftën për titullin e kampionit.

1

Humbja me Vardarin padyshim se dhemb, por ekipet me karakter dijnë të ngriten pikërisht në raste të këtilla. Është një betejë e humbur, por lufta e quajtur kampionat ka edhe shumë për tu luajtur dhe Shkëndija ka hapsirën e nevojshme për të dalë edhe më e fortë nga kjo situatë, me titullin e kampionit që mbetet objektiv i pakontestueshëm i klubit.

 

Nevojitet seri e re e fitoreve dhe në këtë drejtim bariera e parë quhet Shkupi. Ekipi nga Çairi gëzon respekt maksimal nga Shkëndija, mirëpo objektivi i ekipit mbeten tre pikët. Skuadra ka punuar të hënën dhe të martën pikërisht për këtë duel dhe futbollistët janë gati për të treguar se e diela ishte një ditë e keqe dhe se reagimin e parë do ta sjellin që të mërkurën.

Përballja Shkëndija-Shkupi luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 14:30.