Osmani: Finale e merituar, besoj se fitojmë Kupën

No image

Shkëndija bën hapin e rradhës drejt fitimit të dy trofeve në futbollin vendor, pasi me 18-të pikë epërsi në kampionat sot kuqezinjtë siguruan kualifikim edhe në finalen e Kupës së Maqedonisë. Trofeu do të diskutohet përballë Pelisterit, ndërsa trajneri i Shkëndijës Qatip Osmani beson se ekipi i tij është i aftë për të menaxhuar triumfin në finale pa marrë parasysh kundërshtarin. Shkëndija pretendon dy trofetë dhe fitorja e sotme 2:0 kundër Renovës u dha vazhdimësi planeve për titullin e dyfishtë. Barazimi 1:1 në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës u vërtetua se ishte vetëm një ditë e keqe, pasi sot me dy golat e Ibraimit u pre bileta për finalen e madhe ku Shkëndija gjendet për të tretin vit me rradhë.
“Ishim përgatitur për këtë ndeshje të vetëdishëm se nuk do t’i ngjajë asaj të kampionatit që u vërejt. Kishim rezultat negatit dhe detyrimisht duhej të shënojmë për të kaluar në finale. Në pjesën e parë nuk mundëm të shënojmë dhe arsye ishte loja e ngadalshme. Në pjesën e dytë shënuam herët dhe kjo na mundësoi edhe golin e dytë. Sigurisht jemi të kënaqur me kualifikimin në finale dhe do të bëjmë çmos që të fitojmë trofeun e Kupës. Për mua është gëzim i veçantë sepse është trofeu i vetëm që më mungon dhe besoj se Shkëndija ka kualitet për të fituar Kupën”, deklaroi trajneri Qatip Osmani.