Nga Jusufi deri te Luma, 900 gola në elitë

No image

Hixhet Jusufi ◀ 900 ▶ Ensar Luma.

Cila do të jetë lidhja apo segmenti ndërmjet Hixhet Jusufit dhe Ensar Lumës? I pari 45 vjeçarë nga Haraçina e Shkupit dhe që e ndajnë plotë 25 vite me njëzet vjeçarin tetovarë.

Starti i parë këtë sezon ✅ Ensar Luma për 0-1 👏🏼 #RenovaShkëndija

Posted by KF Shkëndija on Saturday, November 7, 2020

Ky i fundit të shtunën e 7 nëntorit në fitoren 3:1 ndaj Renovës shënoi golin e parë, i cili ishte realizimi numër 900 i Shkëndijës në një ndeshje të Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Nga 7 nëntori 2020 po numëruam mbrapsht dhe të ndalemi në 18 gusht të vitit 1996 kur Shkëndija debutonte për herë të parë në historinë e saj në elitën e futbollit vendor, mbërijmë te sfida Shkëndija-Bellasica e fituar 1:0 nga kuqezinjtë. Debutim me tre pikë dhe Hixhet Jusufi autor i golit të parë e historik të Shkëndijës në elitë në minutën e 48-të të ndeshjes. Në këtë pauzë ndërkombëtare kemi kontaktuar Jusufin dhe ai paksa i surprizuar me shumë kënaqësi e nostalgji flet për eksperiencën e tij me Shkëndijën.

Nga goli im tashmë u bënë 900 gola?! E bukur për ta dëgjuar dhe kur ta mendosh se duke shkruar historinë e duke shtuar golat, unë mbetem i pari dhe autor i një momenti historik. Uroj djaloshin Ensar Luma që bëri golin numër 900, i dëshiroj shumë gola tjerë dhe suksese në karrierë”, thotë Hixhet Jusufi, autori i golit të parë të Shkëndijës në Ligën e Parë në një intervistë ekskluzive për web faqen e KF Shkëndija.

“Ishin kohëra të bukura, por shumë më të vështira se tani. Ndjenjë e bukur kur kthehemi prapa aq shumë në kohë për të kujtuar fillimet e Shkëndijës në elitë. Ky klub gjithmonë ka simbolizuar kombin tonë dhe unë jam krenarë që jam autor i golit të parë të Shkëndijës në Ligën e Parë. E kujtoj si sot ndeshjen me Bellasicën! Shumë spektatorë, super atmosferë, eufori e paparë dhe aq shumë njerëz që lumturoheshin nga suksesi ynë”, kujton me nostalgji Hixhet Jusufi, sot 45 vjeçarë dhe pronar i një biznesi privat jashta sferës së futbollit. “Ju faleminderit shumë që më keni kujtuar. Vërtet më ngjallët një emocion të madh dhe më kthyet krenarinë që bart nga ajo kohë. Jam i lumtur sot të shikoj Shkëndijën në këto nivele, duke dominuar futbollin vendor e duke arritur edhe suksese në Europë. Asokohe ishin situata tjera, vështirë për klubin të bënte më shumë, por ne jemi krenar për atë që kemi bërë për këtë fanellë. E kaluara dhe e tashmja përbëjnë historinë e lavdishme të këtij klubi”, shton Jusufi, që u ndje i nderuar për kujdesin e treguar ndaj tij, në kushte kur janë ndëruar shumë gjenerata dhe të rinjtë edhe nuk është se e njohin atë. 

“Kanë kaluar shumë vite, normal te ne futbolli dhe mediat nuk janë në nivelin e asaj që shofim në Europë dhe është e kuptueshme se gjeneratat e reja nuk më njohin. Por ndodh që në biznesin tim të kalojnë tetovarë më të vjetër dhe ndjehem shumë krenar kur më njohin e më kujtojnë për golin e parë të Shkëndijës në elitë”.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi të uroj të gjithë gjeneratat për punën që kanë bërë. Përshëndes “Ballistët”, tetovarët dhe gjithë simpatizuesit e këtij klubi. Uroj shumë suksese në të ardhmen dhe faqe të reja të lavdishme në historinë e Shkëndijës”, përfundoi Hixhet Jusufi.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME