Nafiu, lojtari i momentit te Shkëndija

No image

“Për një futbollist nuk ka kënaqësi më të madhe kur kontribuon në sukseset e skuadrës. E ndjej se tani jam në momentin më të mire. Të vazhdojmë me këtë ecuri për të mbyllur sa më shpejtë edhe matematikisht llogaritë e titullit të kampionit”, shprehet Valmir Nafiu. 

Kuqezinjtë në atmosferë shumë pozitive hyjnë në fazën e fundit të kampionatit kur kanë ngelur për tu zhvilluar edhe 8-të përballje të sezonit garues 2020/2021. Me 10-të pikë distancë nga vendi i dytë, Shkëndija duket e sigurtë në rrugëtimin drejt titullit të katërt kampione e vendit. Pas një minikrize të rezultateve kur barazuam pa gola në dy përballje të njëpasnjëshme me Rabotniçkin dhe Renovën, futbollistët janë përgjigjur me tre fitore rresht, 1:0 me Pelisterin, 1:6 me Vardarin dhe 2:1 në duelin e fundit në Tetovë përballë Sileksit.

9 pikë maksimale që kontribuan në zgjerimin e diferencës me Shkupin e vendit të dytë dhe afrim drejt sigurimit të titullit kampion. Skuadra u përgjigj mirë pas krizës për gjetjen e golit kur nuk shënuam në dy takime me radhë dhe njeriu i momentit duket Valmir Nafiu. Sulmuesi anësorë fillimisht realizoi për të kthyer skuadrën te goli, kur ekzekutimi i tij në minutën e 88-të solli fitore 1:0 ndaj Pelisterit, më pas ishte më meritori për dy golat e parë në përmbysjen e madhe 6:1 ndaj Vardarit, kur fillimisht asisoi për Ramadanin në golin e barazimit, ndërsa më vonë fitoi penaltinë që hapi rrugën drejt fitores bindëse. Së fundmi, të dielën pikërisht Nafiu shënoi për epërsi 1:0 ndaj Sileksit, duke thyer rezistencën e skuadrës nga Kratova, e mundur në fund me shifrat 2:1.

FT ⏱️ Me golin e Nafiut në minutat e fundit të ndeshjes regjistrojmë fitoren e 14-të sezonale 💪 #ShkëndijaPelister

Posted by KF Shkëndija on Sunday, March 14, 2021

“Sinqerisht, personalisht nuk është se paskam bërë këto llogari statistikore, por të flas të drejtën më vjen mirë t’i dëgjoj. Për një futbollist nuk ka kënaqësi më të madhe kur kontribuon në sukseset e skuadrës. Posaçërisht nëse këto shifra vijnë pas një momenti kur disi pamë veten në vështirësi për të gjetur golin”, shprehet Valmir Nafiu.26-të vjeçari ka shënuar 3 gola në 23 paraqitje në këtë kampanjë, kur vetëm 7 herë ka nisur si titullarë. Forma e tij ka shkuar në rritje ndeshjeve të fundit dhe efektin pozitiv e ka marrë edhe ekipi.

“Nuk ka futbollist që s’don të jep më të mirën në lojë, por secilit i ndodh të përballet me periudhë krize. Këtë e shofim edhe në ligat më të avansuara, kështu që është normale edhe te ne. Kam vuajtur në fillim, por e ndjej se tani jam në momentin më të mirë. Dhe natyrisht golat e asistet nuk janë rastësi. Kuptohet se në plan të parë është ekipi dhe rezultatet e skuadrës. Fatmirësisht edhe në këtë segment qëndrojmë shumë mirë dhe besoj se do të vazhdojmë me këtë ecuri për të mbyllur sa më shpejtë edhe matematikisht llogaritë e titullit të kampionit”, përfundoi Nafiu.

Futbollistët e Shkëndijës pas ditës së lirë të hënën, nga e marta janë kthyer në seancat stërvitore duke vijuar përgatitjet për përballjen e xhiros së 26-të të dielën në Tetovë përballë Renovës.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME