Milev: Ndjehem shumë mirë në Tetovë dhe besoj të vazhdojmë me fitore

No image

Shkëndija me fitore mbylli rrethin e dytë të garave në LPFMV duke mundur Rabotniçkin 3:1 dhe me atmosferë pozitive do të presim duelin e fundjavës me Akademia Pandevin. Goli i dytë që na dha siguri të mërkurën ishte vepër e sulmuesit Nasko Milev, i cili shfytëzoi harkimin e Çinarit për të paraboluar me kokë portierin e Rabotniçkit. Goli i parë zyrtar në fanellën e Shkëndijës ka zhbllokuar 26 vjeçarin i cili nuk fsheh kënaqësinë që më në fund shënoi. 

Ndjehem shumë mirë pas atij goli. E kam pritur disa ndeshje. Ndoshta nuk kisha fat në dy tre ndeshjet e para ta shënoj, mirëpo tani jam i lumtur dhe është mirë edhe për mua dhe vetëbesimin tim dhe shpresoj se kështu të vazhdoj dhe të kemi sukses”, shprehet sulmuesi bullgar i Shkëndijës, Nasko Milev, i cili sqaron se mungesa e golit nuk i ka krijuar ndonjë presion në lojën e tij. 

Kuptohet se për një sulmues është shumë e rëndësishme të shënojë gola. Nuk kam pasur unë ndonjë presion, mirëpo natyrisht se ndjehem shumë më mirë pasi kam shënuar dhe shpresoj të vazhdoj kështu”, shtoi Milev. 

Sulmuesi thotë se mikpritja në Tetovë i ka mundësuar të ndjehet shpejt pjesë e skuadrës, ndërsa ndjen se publiku është një shtytje e madhe për futbollistët.

Të ju them të drejtën ndjehem shumë mirë. Dy tre vitet e fundit kam luajtur në Lituani dhe ndoshta më ka munguar pak mentaliteti i Ballkanit. Jam njohur shpejt me bashkëlojtarët, tashmë një kohë jemi bashkë, shoqërohemi dhe kjo është shumë mirë. Jam i mahnitur me fansat, tifozët dhe uroj të vazhdojnë të na mbështesin dhe shpresoj gjithçka të jetë në rregull”, thotë sulmuesi nga Plovdivi i Bullgarisë. 

Tanimë kur ka hapur “llogarinë” e tij të golave te Shkëndija, Milev beson se do të jetë në gjendje të shënojë në vazhdimësi. 

Patjetër se po. Mendoj të shënoj mjaftueshëm për të fituar secilën ndeshje, dashtë Zoti të jemi në vend të parë në fund të kampionatit”, përfundoi Milev.

Shkëndija rrethin e tretë të garave e nis të dielën në Tetovë përballë Akademia Pandevit. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME