Mesazhi i presidentit të klubit, Prof. Dr. Zamir Dika:

No image

Si duket edhe slogani i njohur në botën e futbollit “MË SHUMË SE NJË KLUB”, ngjanë të jetë shkruar për KF Shkëndija!

Kjo, sepse tanimë KF Shkëndija është etabluar si një emblemë identifikuese e sportit në Tetovë dhe jo vetëm; si një simbol uniteti dhe krenarie për të gjithë qytetin, pa dallim bindjeve, përkatësive dhe besimeve; që falë përkrahjes shumëdimensionale të familjes Destani, u ngrit në një ikonë suksesi mbarëshqiptar e shtetëror dhe në një konkurrues të respektuar edhe në arenën e futbollit ndërkombëtar.

Andaj, këto ndryshime strukturore që po bëhen në kuadër të sezonit aktual, së pari, përfaqësojnë vazhdimësinë e përkrahjes që vjen nga familja e madhe Ecolog dhe përkushtimi i skajshëm për shkëlqyeshmëri dhe rezultate të mëtutjeshme; që e përforcojnë besimin në traditën dhe vlerat e sportit të qytetit; paralajmërojnë nisma inovative të hapjes së mëtejshme të klubit ndaj tifozëve dhe komunitetit; si dhe paraqesin një frymë të re të bashkëpunimit me institucionet relevante të sportit, klubeve dhe përgjithësisht botës së sportit në Maqedoninë e Veriut dhe rajonit.

Le të jetë ky edhe një gur më shumë në kalanë e KF Shkëndijës, për të cilën kanë kontribuuar shumë njerëz – të cilët i falënderojmë me këtë rast, gjithnjë duke qenë të vetëdijshëm se nuk do të mund të ngrihet Shkëndija aty ku synojmë pa përkrahjen e të gjithë dashamirëve të futbollit. Do të promovojmë një platfromë të shtrirë të bashkëpjesëmarrjes; një mjedis të mirëfilltë të përcjelljes së mesazheve të sportit për barazi, korrektësi dhe përfaqësim të vlerave më të larta profesionale në futboll. Me këtë rast, inkurajojmë të gjithë tifozët për anim fer dhe korrekt, duke anashkaluar paragjykimet e ndryshme dhe sjelljet jotolerante. Kështu, së bashku do të dëshmojmë se animi sportiv dhe korrekt i tifozëve do të promovojë vlera të respektit dhe mirësjelljes ndaj secilit.

Bashkërisht na priftë e mbara. Suksese!

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME