Mbrojtja e Kupës fillon nga Manastiri

No image

Shkëndija të mërkurën përballet me Golemo Konjarin në takimin e vlefshëm për 1/16 e finales së Kupës së Maqedonisë. ‘Kuqezinjtë’ trofeun e Kupës do të nisin ta mbrojnë pa një pjesë të futbollistëve standard të cilët janë grumbulluar me përfaqësueset A dhe U 21 të Maqedonisë.

Ekipi i Golemo Konjarit nga rrethina e Prilepit do të jetë kundërshtari i parë i ‘kuqezinjëve’ në rrugën drejt mbrojtjes së trofeut të Kupës së Maqedonisë. Takimi në fjalë duhej të luhet më herët, mirëpo u shty për shkak të angazhimeve të Shkëndijës në eliminatoret e Liga Evropës, ku ‘kuqezinjtë’ arritën deri te shkalla e katërt, gjegjësisht play-offi.

Tani skuadra shfrytëzon pauzën në kampionat për të luajtur këtë ndeshje, në të cilën do të luajë pa një numër të madh të futbollistëve standard. Hasani, Ibraimi dhe Zahov janë grumbulluar me përfaqësuesen A të Maqedonisë, ndërsa Bejtullai, Radeski, Murati dhe Demiri janë me ekipin U 21 të Maqedonisë. Marko Jovanovski dhe Shqiprim Taipi nuk mund të luajnë për shkak të lëndimeve, kështu që stafi teknik në fushë do të nxjerrë formacion të kombinuar që gjithsesi pritet të kalojë pa problem këtë pengesë.

“Triumfi në Kupën e Maqedonisë sezonin e kaluar na solli gëzim të madh dhe qëllimi unë këtë vit përkrah kampionatit është sërish të fitojmë Kupën. Nuk e njohim kundërshtarin që do të përballemi në këtë fazë, mirëpo ne kemi respekt për ta edhe pse vijnë nga kategoritë më të ulëta. Shkojmë për të dhënë maksimumin dhe për të arritur fitore e cila do na avansojë në raundin e rradhës së garave të Kupës”, u shpreh mesfushori Ennur Totre.

Përballja Golemo Konjari-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Manastir, me fillim në orën 16:00.