-
H 1:1
- ||, |||, Antalya TC 2021
- 2021-02-03 14:00
- Antalia
Shkëndija barazon 1:1 me FC Kaysar nga Kazakistani në ndeshjen e tretë kontrolluese në Antalia. Ibraimi shënoi golin për tanët, Qaka luajti nga fillimi, ndërsa debutoi në të dytën braziliani Da Silva.
Kuqezinjtë lënë pas edhe testin e tretë në përgatitjet në Turqi, duke barazuar 1:1 me skuadrën kazake, FC Kaysar. Në një takim ku shkaku i dëmtimeve nuk luajtën Alimi e Krivak, trajneri Gjoka nga fillimi i dha shansin Kamer Qakës, ndërsa në të dytën luajti edhe braziliani Igor Wanderson Da Silva.
Shkëndija luajti një pjesë të parë shumë të mirë, megjithëse ndjehej lodhja nga ngarkesat që skuadra ka në stërvitje, ndërsa në pjesën e dytë trajneri Gjoka u dha mundësi më shumë futbollistëve, përfshi edhe portierin e ri Amzai që zuri vendin e Zahovit në minutat e fundit.
Shkëndija që në start vendosi autoritet në fushë dhe falë lojës së shpejtë, me pasime të sakta dhe konkrete në 15-të minutat e para krijuam tre aksione të mira, duke konkretizuar njërin me gol. Fillimisht në minutën e 9-të e majta e Ibraimit shkoi mbi portë, pak më vonë Qaka dhe Ibraimi ekzekutojnë bukur një këndore nga e cila numri ‘7’ krijon hapsirë për një të djathtë që shkon fare skaj shtyllës, ndërsa ndryshimi do të vinte në minutën e 14-të kur aksioni i bukur i Ibraimit dhe Dorievit sjell lëvizje të bukur të Besartit në zonë dhe një të majtë që ndalet në rrjetën e kazakëve për epërsi 1:0 të tanëve.
Deri në fund të pjesës së parë dy ekipet kishin tentimet e tyre, por pa mundur të sjellin ndryshim kështu që në pauzë u shkua me epërsi minimale të Shkëndijës.
Fraksioni i dytë nisi me kanosje të futbollistëve të Kaysar, por goditjen me kokë pas një rëmuje në zonë me qetësi e kontrollon Zahov. Kjo mundësi sikur paralajmëroi nivelizimin në rezultat pasi në minutën e 51 nuk reaguam mirë në një aksion të gjatë të kundërshtarit dhe Denkoviç nga afërsia realizoi për 1:1. Përgjigjen tanët me dy kanosje kur fillimisht asisti i Dorievit me kokë pasohet me një të djathtë jo precize nga Nafiu, ndërsa pa u bërë një orë lojë Hebaj shërben mirë për Dorievin brenda zonës, mirëpo goditja e këtij të fundit shkon mbi traun e portës. Kaysar kishte një aksion serioz kur nga afërsia nuk gjetën kuadrantin, ndërsa në anën tjetër fillimisht gjuajtja e lirë e Ibraimit nuk shqetëson portierin kundërshtar, që në minutën e 71 Zejnullai e Murati të zhvillojnë aksion të bukur, por e djathta e Nafiut kontrollohet nga portieri Leonov. Mundësinë e fundit për ndryshim e kishte Ibraimi në minutën e 86-të kur e djathta e tij ndalet në duart e portierit kundërshtarë. Në fund skuadrat ndahen me barazim 1:1 në këtë kontrolluese të tretë të Shkëndijës në Antalia.
SHKËNDIJA-KAYSAR 1:1 (1:0)
Golashënues: Ibraimi 14’ (Shkëndija), ndërsa Denkoviç 51’(Kaysar)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Neziri, Bejtullai (c), Paviç, Qaka, Dita, Zejnullai, Elezi, Doriev, Ibraimi.
Luajtën edhe: Nafiu, Hebaj, Da Silva, Merxhani, Ramadani, Amzai dhe Luma.
Trajner: Ernest Gjoka