Goli i debutuesit Dashmir Elezi nuk ka mjaftuar për të shkuar përtej barazimit 1:1 në duelin e xhiros së 12-të përballë Shkupit në Tetovë.
• Shkëndija barazon 1:1 në takimin me Shkupin në Tetovë
• Dashmir Elezi shënon gol në dëbutim si 16-të vjeçarë
• I riu bëhet golashënuesi më i ri në historinë e LPFMV-së
• Ilirid Ademi realizoi golin për Shkupin në pjesën e dytë
Shkëndija ndalet me tjetër barazim në Tetovë, pasi edhe dueli i xhiros së 12-të në LPFMV përballë Shkupit u mbyll me shifrat 1:1. Dueli i dy skuadrave të para në renditje solli futbolli të hapur dhe cilësorë, me shanse para të dyja portave, ndërsa takimi do mbetet në histori pasi Dashmir Elezi me vetëm 16 vite e një ditë bëhet golashënuesi më i ri në historinë e elitës së futbollit vendor.
Ndeshja nisi me dy shanse për mysafirët kur fillimisht në minutën e 3-të Zahov intervenoi sigurtë duke larguar topin nga vija e portës, ndërsa katër minuta më vonë pas një aksioni të mirë tentimi i Dembo-s ndalet në traversë. Në minutën e 10-të ndodhi një moment që nuk shihet shpesh në terrenet sportive, kur arbitri kryesorë Dimitar Meçkarovski shkaku i një dëmtimi nuk mundi të vazhdojë ndeshjen, ndërsa detyrën e tij e mori referi i katërt Kostadin Vllaho. Pas ‘zëvendësimit’ të arbitrit Shkëndija mori iniciativën dhe filloi të sulmojë, ndërsa interesant fakti se në tre raste kishim aksion identik me Paviçin që harkonte nga e majta, ndërsa me kokë godiste Ahmedi. Fatkeqësisht në dy raste topi nuk gjeti kuadrantin, ndërsa një herë priti sigurtë Iljazi. Duke munguar goli u duk se skuadrat do të shkonin në pushim me rezultatin e fillimit, mirëpo baraspeshën e prishi i riu Dashmir Elezi që në minutën e parë të kohës shtesë priti mirë topin në zonë dhe me të majtën realizoi gol për 1:0, duke shënuar në debutim me ekipin e parë të kuqezinjëve, me çka bëhet golashënuesi më i ri në historinë e Shkëndijës dhe Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
🌟Dashmir Eleeeziiiii për 1-0 pas pjesës së parë
#ShkëndijaShkupi
Posted by KF Shkëndija on Sunday, November 22, 2020
Pjesa e dytë nisi keq për tanët kur fillimisht tentimi i Goudiabit devijohet në këndore, ndërsa në minutën e 52-të pas harkimit nga këndi, Ilirid Ademi me kokë shënon për barazim 1:1. Kërkuam të rikthejmë avantazhin duke shtypur e duke kërkuar golin, ndërsa më afër shkuam pas të majtës së Paviçit që nuk gjeti kuadrantin apo minutës së 70-të kur Iljazi pret në portë goditjen me kokë të Ditës, pas harkimit të Muratit. Dy minuta më vonë në anën tjetër Zahov shfaqet më super pritje duke shpëtuar portën, ndërsa në kohën shtesë goditja e Berishës me kokë shkoi skaj portës.
Në fund barazimi 1:1 solli nga një pikë për të dyja skuadrat dhe kuqezinjtë mbetet lider të renditjes pas 12-të xhirove në LPFMV.
Përfundon 1-1
Posted by KF Shkëndija on Sunday, November 22, 2020
Bazuar në lojën morëm rezultatin që merituam
“Kështu është futbolli, mundohemi të kemi këtë lloj hendikapi që kemi në fushën tonë, por nuk po dalim atje ku duhet. Gjithsesi sot ishte një ndeshje shumë e fortë, përballë një kundërshtari të mirë. Kjo ndeshje mendoj se nga rastet që patëm ne, nga rastet që pati kundërshtari, nga loja që u bë unë them që morëm atë që meritonim”, u shpreh pas ndeshjes trajneri Ernest Gjoka.
SHKËNDIJA – SHKUPI 1:1 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Dimitar Meçkarovski (Kostadin Vllaho 12’) (Shkup)
Golashënues: Elezi 45’+2 (Shkëndija), ndërsa Ademi 52 (Shkupi)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai (c), Neziri, Paviç, Dita, Alimi, Elezi (Totre 46’), Doriev (Nafiu 78’), Ahmedi, Ibraimi.
Trajner: Ernest Gjoka
SHKUPI: Iljazi, Diak, Iseni (Bilalli 90’+1), Ademi (Berisha 90’+1), Alvarez, Krivanjeva, Goudiabi (Jusufi 80’), Bembo, Gligorov, Alii (Glishiq 46’), Da Silva.
Trajner: Umit Karan