Shkëndija sot shënoi fitore bindëse me rezultatin 4:1 ndaj ekipit të Piast Gliwice nga Polonia, në ndeshjen e dytë kontrolluese të zhvilluar në Antalia të Turqisë. Paraqitja mjaft e mirë e kuqezinjve në të dyja pjesët e ndeshjes u kurorëzua me golat e Bejtullait, Merxhanit dhe me dy gola të Elezit. Trajneri Akrapoviq inkuadroi në lojë të gjithë lojtarët të cilët i kishte në dispozicion, duke luajtur me dy formacione të ndryshme në të dyja pjesët.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me reshtimin 3-4-2-1, me Nafiun dhe Dorievin në pozitën e mesfushorëve ofensivë, dhe me Gurin në krye të sulmit.
XI: Zahov, Bejtullai (c)-Krivak-Neziri, Shala-Dita-Jessie Djou-Timovski, Doriev-Nafiu, Guri.
Përmbledhje:
Që nga minuta e parë kuqezinjtë vendosën dominimin në fushë, duke i detyruar polakët që më shumë të koncentrohen në gjysmëfushën e tyre. Pasime të dyfishta realizuan ndërmjet tyre Guri me Shalën, në momentin kur ky i fundit avanconte në drejtim të portës kundërshtare, u ndal në mënyrë të palejuar përpara vijës së zonës kundërshtare. Guri godet nga goditja e lirë por topi shkon shumë pranë shtyllës (15’).
Avancon Shkëndija me rezultatin 1:0. Nafiu pason shkurt deri te Dorievi, ky i fundit pasi krijon hapësirë kroson brenda zonës, Bejtullai tregohet më i gjindshëm përpara portës dhe shënon me kokë.
HT: Piast Gliwice 0:1 Shkëndija
Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 54-të në lojë u inkuadruan Hasani, Reshat Ramadani dhe Merxhani, ndërsa nga fusha u larguan Dita, Shala dhe Doriev.
Shkëndija dyfishon epërsinë. Nafiu bën një solo aksion nga krahu i djathtë, futet në 16 metërsh, harkon përpara portës, e aty për mrekulli kërcen në ajër dhe shënon me kokë i posa inkuadruari në lojë, Zija Merxhani (55’).
Hasani shërben me top Nafiun që gjuan bukur në drejtim të kuadratit por mbron portieri kundërshtar (57’).
Në minutën e 57-të në lojë u inkuadruan Cake, Bilalli dhe Elezi në vend të Nezirit, Jessie Djou dhe Nafiut.
Në minutën e 64-të inkuadrohen në lojë Mensalao dhe Murati, ndërsa nga loja u larguan Guri dhe Timovski. Ndërsa në minutën e 69-të Bejtullai ia lëshoi vendin Florent Ramadanit.
Polakët futen në zonën e Shkëndijës, më i shkathët tregohet Reiner që ngushton rezultatin në 2:1 (74’).
Zëvendësimet e fundit u kryen në 15 minutat e fundit. Krivak dhe Zahov u larguan nga ndeshja, ndërsa u inkuadruan Manevski dhe portieri rezervë Astrit Amzai.
Kuqezinjtë rrisin epërsinë në 3:1. Florent Ramadani nga gjysmëfusha e Shkëndijës e gjeti për mrekulli Elezin që në stilin e tij avancoi përpara dhe pasi kaloi edhe portierin kundërshtar nga një pozitë e vështirë shënoi super gol (79’).
Kombinime të bukura të kuqezinjve, Mensalao futet në zonë dhe pasi kaloi një mbrojtës kundërshtar u ndal në mënyrë të palejuar. Arbitri pa hamendje tregoi në pikën e bardhë. Elezi tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe vendos rezultatin përfundimtar 4:1 (85’).
FT: Piast Gliwice 1:4 Shkëndija
Ndeshja u zhvillua në Antalia të Turqisë.
Golashënues për Shkëndijën: Bejtullai 17′, Merxhani 55’, Elezi 79’ dhe 85’.
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (c)-Krivak-Neziri, Shala-Dita-Jessie Djou-Timovski, Doriev-Nafiu, Guri.
Luajtën edhe: Hasani, R. Ramadani, Merxhani, Cake, Bilalli, Elezi, Mensalao, Murati, F. Ramadani, Manevski, Amzai.
Trajner: Bruno Akrapoviq.