-
H 2:2
- |, ||, |||, Antalya TC 2023
- 2023-02-09 13:00
- Antalia
Shkëndija i mbyll përgatitjet në Turqi me barazim 2:2 përballë Valmieras. Pas negativës 0:2 në pjesën e parë, në të dytën Çinari sjell dy gola për barazim. Një start i ashpër ndaj Bejtullait solli karton të kuq për Valmierën, mirëpo trajneri Osmani lejoi kundërshtari të inkuadronte në lojë një tjetër futbollist.
Kuqezinjtë kanë përfunduar fazën e dytë të përgatitjeve në Antalia të Turqisë me barazim 2:2 përballë skuadrës kampione të Letonisë, Valmiera FC. Pas një pjesë të parë jo të kënaqshme kur rivali shënoi dy herë, Shkëndija prodhoi shumë intensitet në fraksionin e dytë dhe përveç dy golave të Çinarit, lëshuam edhe të tjera raste për të shënuar. Trajneri Osmani në këtë ndeshje nuk kishte në dispozicion kapitenin Hasani dhe sulmuesin e krahut Ljupço Doriev.
Pjesa e parë nuk solli grintën e duhur dhe dy skuadrat më shumë ishin të orientuara në qarkullimin e topit, duke qëndruar të pozicionuara në mesfushë dhe si pasojë mungonin shanset konkrete për gol. Në kushte të tilla gol mund të shihnim pas ndonjë gabimi dhe fatkeqësisht në minutën e 19-të topi u gjet në rrjetën tonë kur një harkim nga e majta u devijua në këmbën e Maksimovit dhe befasoi Zahovin në portë. Provuam të përgjigjemi por nuk ishim në lartësinë e duhur dhe dy tentime ishin shumë pak për të shpresuar barazimin. Bejtullai goditi mbi portë nga gjuajtja e lirë, ndërsa në minutën e 38-të tentimi i Milevit nga brendësia e zonës u devijua në këndore nga portieri i Valmieras. Në çastet e fundit të pjesës së parë pas një vendosje jo të duhur në zonën e fundit, përfitojnë letonezët dhe shënojnë për 0:2.
I pakënaqur me shfaqjen e skuadrës trajneri Osmani kishte vërejtje serioze në pauzë, ndërsa fraksionin e dytë e nisi me 5 zëvendësime (në lojë u inkuadruan Cake, Murati, Qaka, F. Ramadani dhe Elezi). Reagimi u pa që në minutat e para kur u shfaq një Shkëndijë shumë agresive dhe me presion të lartë në zonën kundërshtare. Kjo qasje solli rezultat kur në minutën e 48-të presioni i Elezit e Florent Ramadanit bëri të fitojmë një top, ndërsa Çinari shënoi për 1:2 pasi paraprakisht goditja e devijuar e F. Ramadanit nga portieri u ndal në shtyllë. Qasja e kuqezinjëve befasoi rivalin që tentoi të përgjigjet me lojë të ashpër dhe në një start të rrezikishëm mbeti i lënduar Bejtullai që u zëvendësua me Cuculin, derisa trajneri Osmani lejoi rivalin të inkuadronte lojtar tjetër në lojë dhe të vazhdojë me 11-të futbollistë në fushë. Në minutën e 65-të Mujezinoviç u gjet në rast, por tentimi i tij bllokohet, derisa një minutë më vonë erdhi barazimi. Velija tregohet insistues në sulm dhe pason në zonë për Çinarin, i cili prodhon super gol me të majtën për barazim 2:2. Shkëndija vazhdoi të dominojë duke bërë ndeshjen si trafik një kahësh dhe 8-të minuta para fundit pas një dalje nga mbrojtja në sulm, Cake kërkoi golin e fitores, mirëpo goditja e tij shkoi mbi portë. Shansin e fundit e kishim në minutën e 90-të kur tentimi i F. Ramadanit shkoi skaj portës.
Me këtë ndeshje praktikisht përfundon faza përgatitore e kuqezinjëve në Turqi dhe të premten skuadra udhëton drejt Tetovës ku do të vazhdojë punën deri në fillimin e gjysmësezonit pranveror të parparë për datën 19 shkurt.
SHKËNDIJA-VALMIERA 2:2 (0:2)
“Tssfc Football Center” në Antalia të Turqisë
Golashënues: Çinari 48’ dhe 66’ (Shkëndija), ndërsa Gueye19’ dhe Dusalijevs 45’+ (Valmiera)
SHKËNDIJA: Zahov, Maksimov, Bejtullai (c), Dita, Velija, R. Ramadani, Totre, Mujezinoviç, Shala, Çinari, Milev.
Luajtën edhe: Cake, Murati, Qaka, F. Ramadani, Elezi, Cuculi, Hamza, Jakupi dhe Nuhija.
Trajner: Qatip Osmani