Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e 10-të sezonale duke mundur 2:1 Akademia Pandevin. Çinari heroi i ndeshjes me dy golat e shënuar.
Detajet e ndeshjes:
SHKËNDIJA-AKEDEMIA PANDEV 2:1 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Çinari 30’ dhe 45’+1 (Shkëndija), ndërsa Ergemlixhe 65’ (Akademia Pandev)
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
SHKËNDIJA: Taleski, Maksimov, Bejtullai, Cake, Velija (Murati 28’), Qaka (Dita 70’), Totre, Çinari (Cuculi 90’), Hasani (c) (Ramadani 90’), Shala, Milev (Mujezinoviç 70’).
Trajner: Qatip Osmani
AKADEMIA PANDEV: Alçevski, Franko (Akgul 71’), Rufati, Akosta, Galevski (Velinovski 46’), Donov (Abdullai 71’), Krstevski, Trajkov (Ergemlixhe 59’), Vrdoljak (Tomovski 59’), Jankulov, Dimovski (c).
Trajner: Aleksandar Vasovski
Ndeshja:
Dy gola të Erald Çinarit na sjellin fitoren 2:1 përballë Akademia Pandevit në xhiron e 23-të të Ligës së Parë të futbollit në vend. Kuqezinjtë marrin fitoren e dytë me rradhë dhe të tretën të njëpasnjëshme në terren vendas, derisa i shkaktojnë humbjen e parë pranverore Akademia Pandevit. Me barazimin e sotëm të Struga Trim&Lum, kuqezinjtë afrohen 5 pikë pranë kreut të tabelës.
Ndeshja nisi me matje të forcave dhe përkundër faktit se Shkëndija po impononte dominim në posedim të topit përballë një kundërshtari që në vijën e fundit kishte reshtuar 5 futbollistë, megjithatë aksionin e parë serioz e sollën futbollistët e Akademia Pandevit kur me disa kombinime të bukura arritën para portës derisa Trajkov çoi topin në rrjetë, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtëloje. Shkëndija në vazhdim mori kontrollën e lojës dhe kërkonte mënyrë për të çarë mbrojtjen e ngjeshur të miqve. Shala solli kanosjen e parë, por pa shqetësuar seriozisht Alçevskin. Baraspesha do të prishej në minutën e 30-të kur Cake me top të gjatë shërben për Çinarin në zonë, ndërsa sulmuesi pasi zbret topin me gjoks lëshon një të majtë precize për epërsi 1:0 dhe delirium në tribuna. Miqtë shkuan pranë barazimit dhjetë minuta më vonë kur e majta e Dimovskit shkoi pranë portës së Taleskit, derisa kur ekipet bëheshin gati të shkojnë në pushim kuqezinjtë sollën golin e dytë. Hasani me kokë i dha vazhdimësi një askioni, ndërsa Shala me shpejtësi depërton në krahë dhe harkon para portës ku Çinari me kokë dyfishon epërsinë me golin e tretë personal ë fanellën e Shkëndijës.
Mysafirët të pakënaqur me negativën në pjesën e dytë me disa ndryshime kërkuan të kthehen në lojë, duke ndryshuar edhe vendosjen taktike në fushë. Shkëndija lëshoi disa sulme për gol të tretë, derisa u ndëshkuam në anën tjetër kur Ergemlidxhe ngushtoi rezultatin në 2:1 (65’). Të entuziazmuar nga goli miqtë tentuan të sulmojnë për barazim, mirëpo kuqezinjtë u mbrojtën me sukses, derisa me dy-tre super intervenime u shfaq portieri Taleski. Në fund 3 pikët mbetën në Tetovë dhe Shkëndija ngushton diferencën me kreun.
Ndeshja e radhës
Fundjavën e ardhshme në program është xhiroja e 24-të në LPFMV, dhe kuqezinjtë do të jenë mysafirë të Skopjes.
Skopje-Shkëndija 18.03.2023