Kanë rigjetur kuqezinjtë rrugën e fitores në kampionat, duke e mundur Tikveshin me rezultatin me epërsi minimale 2:1, por me vlerë maksimale prej tre pikëve.
Edhe pse kuqezinjtë diktuan lojën gjatë gjithë 90 minutave, vendimtar për fitoren ishte një gol i shënuar nga Nafiu vonë në minutën e 90-të.
Formacioni:
Për shkak të mungesave si pasojë e dëmtimeve apo pezullimeve, Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me renditjen 3-4-2-1, me Nezirin, Ditën e Reshat Ramadanin në vijën mbrojtëse, dhe me treshen sulmuese Hasani, Doriev e Elezi. Për herë të parë si titullar në skuadrën kuqezi u paraqitën prurjet e afatit kalimtar të janarit, Manevski dhe braziliani Mensalao.
XI: Zahov, Neziri-Dita-R. Ramadani, Shala-Mensalao-Bilalli-Manevski, Hasani (c)-Doriev, Elezi.
Përmbledhje:
Megjithëse kuqezinjtë vendosën dominimin nga minuta e parë ndërsa mysafirët u parkuan përpara zonës së tyre të rreptësisë, goli i epërsisë erdhi në minutën e 21-të.
Bilalli nga krahu i majtë harkoi në zonë për Shalën, ky i fundit me kokë asistoi për Dorievin që poashtu me kokë gjuajti dhe topi përfundoi në këndin e poshtëm të majtë të portës mysafire (21’).
Pasime të dyfishta të Bilallit me Hasanin nga krahu i djathtë. Bilalli e shërben me top Shalën në krahun e djathtë e ky me një harkim të saktë në zonë e gjen Dorievin që gjuan me kokë, por topi përfundon në duart e portierit Davkov (32’).
Harkim nga këndorja, pastrojnë për një çast mysafirët por topi vjen deri te Mensalao që me një pasim fantastik në zonë e gjen Manevskin. E kur pritej që Manevski të shënojë, ai goditi mjaft dobët dhe portieri nuk e kishte aspak të vështirë të mbrojë portën e tij (43’).
Elezi e gjen Shalën në zonë që përsëri si në rastet e mëparshme me pasim të saktë e gjeti Dorievin në qendër të zonës. Dorievi goditi në drejtim të kuadratit por topi u ndal në shtyllë (45’).
HT: Shkëndija 1:0 Tikvesh
Me fillimin e pjesës së dytë, nga loja u larguan R. Ramadani dhe Elezi, ndërsa në vendin e tyre u inkuadruan Jessie Djou dhe Sindrit Guri.
Manevski nga krahu i majtë e dërgon topin në krahun e djathtë ku gjendet Shala i cili pasi krijon hapësirë godet me të majtën e tij por topi shkon mbi traversë (51’).
Shala avancon mirë brenda zonës, e kthen topin në qendër të zonës për Dorievin por goditja e tij shkon mbi kuadrat (61’).
Goditje nga këndi për mysafirët që harkojnë brenda zonës, e aty më lartë kërcen Varellovski që dërgon topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1:1 (75’).
Mensalao nga jashtë zonës godet me të majtën, por topi shkon pranë shtyllës (86’).
Rikthejnë kuqezinjtë epërsinë dhe rigjejnë rrugën e fitoreve me një gol të shënuar vonë në minutën e 90-të nga Nafiu. Ishte Cake që bëri një krosim perfekt në zonën e vogël të kundërshtarit. Aty u gjend Nafiu në momentin e duhur dhe me një lëvizje maestrale me të djathtën e tij e dërgoi topin në rrjetën e portierit Davkov (90’).
FT: Shkëndija 2:1 Tikvesh
Stadiumi i Qytetit në Tetovë.
Golashënues për Shkëndijën: Doriev 21’, Nafiu 90’.
Golashënues për Tikveshin: Varellovski 75’.
SHKËNDIJA: Zahov, Neziri, Dita, R. Ramadani (Jessie Djou 46’), Shala (Cake 72’), Mensalao, Bilalli (Nazifi 84’), Manevski, Hasani, Doriev (Nafiu 72’), Elezi (Guri 46’).
Trajner: Bruno Akrapoviq.