Kuqezinjtë startojnë me fitore sezonin pranveror, duke e mundur në Stadiumin e Qytetit në Tetovë ekipin e Struga Trim Lum me rezultatin 3:1.
Ishte ndeshje e hapur nga të dyja skuadrat, por ishin kuqezinjtë ata që realizuan aksione të shpejta e të bukura, duke çuar kështu topin tre herë në rrjetën kundërshtare. Struga Trim Lum arriti të shënojë një gol të nderit në minutën e 52-të.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me renditjen 3-4-2-1, me Bejtullain, Krivakun e Nezirin në pozitat e qendërmbrojtësve, ndërsa Cake ishte më i avancuar në krahun e djathtë. Si zakonisht, në krye të sulmit ishte Sindrit Guri, ndërsa pas tyre në repartin e sulmit Elezi dhe Nafiu.
XI: Zahov, Bejtullai (c)-Krivak-Neziri, Bilalli-Dita-Cake-Shala, Nafiu-Elezi, Guri.
Përmbledhje:
Që nga fërshëllima e parë e arbitrit Mlladenovski, kuqezinjtë fillluan me sulmet e njëpasnjëshme në drejtim të portës së Strugës.
Dita me një top të gjatë e gjeti Shalën që depërton nga krahu i majtë, futet në zonë por aty ndalet në mënyrë të palejuar nga mbrojtja kundërshtare. Arbitri sinjalizoi vetëm rivënie fundore (3’).
Elezi me një pasim perfekt ka gjetur Shalën, që ngjashëm si para 3 minutash përsëri ndalet në mënyrë klasike nga mbrapa nga mbrojtja e Strugës, ndërsa arbitri përsëri nuk akordon penalti (6’).
Kuqezinjtë avancojnë me golin e të riut Dashmir Elezi. Ishte përsëri krahu i majtë nga i cili Shala u fut në zonë, me një krosim të ulët e dërgoi topin në zonën e vogël të Strugës ku u gjend Elezi që dërgoi topin në rrjetë (10’).
Pasim i dyfishtë Elezi-Nafiu-Elezi, ky i fundit brenda zonës e gjen Gurin që godet në drejtim të portës, por goditja e tij devijohet me fat nga mbrojtja strugane (17’).
Goditje nga këndi për Strugën, harkim brenda zonës së Shkëndijës, Ilieski u gjend ballë për ballë me Zahovin i cili me refleks të shkëlqyer mbron goditjen me kokë të Ilieskit (24’).
Shala godet nga distanca por topi shkon shumë pranë shtyllës (33’).
Sindrit Guri shënon për 2:0. Goditje nga këndi për kuqezinjtë, harkon Nafiu në zonë, Guri reagon me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë, duke shënuar kështu golin e tij të tetë në fanellën kuqezi (45+1’).
HT: Shkëndija 2:0 Struga Trim Lum
Goditje nga këndi për Shkëndijën, harkon Nafiu, kërcen Guri në ajër dhe godet me kokë në këndin e sipërm të kuadratit, por portieri Talevski mbron për mrekulli (46’)
Struga zbut epërsinë e kuqezinjve në 2:1. Bojku harkon në zonë nga këndi, Kitanovski nga qendra e zonës e dërgon topin në rrjetën e Zahovit (52’).
Doriev shërbehet me një top, avancon përpara duke u futur në zonë, qëllon me të majtën në drejtim të portës por portieri Talevski pret goditjen e tij (64’).
Kundërzbritje e shpejtë e kuqezinjve. Doriev shërben me një top Timovskin në krahun e djathtë, ky i fundit kroson për mrekulli përpara portës së Strugës ku gjendet Guri në pozitë ideale për të shënuar, por goditja e tij bllokohet nga portieri dhe nga një mbrojtës kundërshtar (77’).
Përsëri kundërzbritje e kuqezinjve. Doriev gjendet brenda zonës, e pason topin deri te Guri që gjendet i vetmuar përballë portierit Talevski por e dërgon topin mbi kuadrat (90+2).
Penalti për Shkëndijën. Hasani me shpejtësi avancon përpara, futet në zonë, kalon edhe portierin Talevski që e ndal Hasanin në mënyrë të palejuar. E realizon Hasani penaltinë në gol duke vendosur rezultatin përfundimtar 3:1 (90+5’).
FT: Shkëndija 3:1 Struga Trim Lum
Stadiumi i Qytetit në Tetovë.
Golashënues për Shkëndijën: Elezi 10, Guri 45+1’, Hasani 90+5’.
Golashënues për Strugën: Kitanovski 52’.
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (c), Krivak, Neziri, Dita, Bilalli (Jessie Djou 87’), Cake (Timovski 65’), Shala, Nafiu (Hasani 65’), Elezi (Doriev 46’), Guri (Mensalao 90+3’).
Trajner: Bruno Akrapoviq.