Kuqezinjtë janë ndarë me barazim pa gola në ndeshjen e xhiros së gjashtë të LPFMV-së kundër Shkupit në Stadiumin e qytetit në Tetovë.
Ndeshja filloi me një minutë heshtje për të kujtuar viktimat nga zjarri që kaploi spitalin modular të Kovid Qendrës në Tetovë.
Shkëndija e dominoi totalisht pjesën e parë, ku pati edhe dy raste të qind përqindta për të shënuar, por rrjeta e portierit Naumovski ngeli e paprekur. Edhe në pjesën e dytë ishte Shkëndija ajo që e diktonte lojën, ndërsa Shkupi kanosej nga kundërsulmet. Në minutën e 84-të arbitri akordoi penalti për Shkëndijën, por ndihmësi i tij anësor për arsye të panjohura e anuloi penaltinë.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me një formacion të ndryshëm nga ai i ndeshjeve paraprake, me renditjen 4-4-2.
XI: Zahov, Bejtullai (c)-Krivak-Merxhani-Murati, Alimi-Dita-Jessie Djou-Neziri, Elezi-Hebaj.
Përmbledhje:
Të dyja skuadrat e filluan ndeshjen me taktizime, me stabilitet në mesfushë dhe në mbrojtje, duke pritur gabime të kundërshtarit dhe mundësi për të sulmuar.
Shkëndija ishte ajo e cila e diktonte lojën, por rasti i parë për gol u shënua vonë në minutën e 34-të kur Hebaj u gjend në 16-metërsh, gjuajti drejt portës por gjuajtja e tij u bllokua nga mbrojtja kundërshtare (34’).
Kombinim mjaft i bukur nga ana e majtë i treshes Alimi-Elezi-Merxhani, ku i fundit shënon por arbitri anësor sinjalizon pozitë jashtë loje (39’).
Pas një pasimi nga Elezi, Rubin Hebaj gjendet i vetëm me portierin kundërshtar në pozitë ideale për të shënuar, por portieri Naumovski ndalon tentimin e tij (44’).
HT: Shkëndija 0:0 Shkupi
Edhe pjesa e dytë filloi me dominimin e Shkëndijës dhe me lojë të drejtuar drejt portës kundërshtare.
Egzon Bejtullai me një top të gjatë gjen në 16-metërsh Dashmir Elezin, i cili gjuan shumë pranë shtyllës (49’).
Aksion i mirë nga ana e djathtë, me pasime të njëpasnjëshme ndërmjet Muratit dhe Alimit i cili gjuan fuqishëm drejt portës por përsëri portieri Naumovski shpëton portën e Shkupit (50’).
Pason Bruno Dita deri te Doriev, i cili përsëri e kthen topin te Dita që gjuan drejt portës, por portieri mbron gjuajtjen e tij (60’).
Mevlan Murati gjuan nga largësia drejt portës kundërshtare, por gjuajtja e tij kalon shumë pranë portës (63’).
Shkupi kërcënon nga një aksion i papritur, por shtylla e shpëton portën e Zahovit (73’).
Valmir Nafiu gjendet i vetëm në 16-metërsh dhe kur bëhej gati të shënojë, ndaj tij pati ndërhyrje të palejueshme nga mbrojtja kundërshtare. Kur arbitri kryesor bëhej gati të akordojë penaltinë, reagoi ndihmësi i tij anësor i cili e anuloi penaltinë (84’).
Vazhdoi Shkëndija me sulmet, Adenis Shala pason deri te Jessie Djou i cili nuk është i gatshëm për të gjuajtur drejt portës, pason në anën e majtë deri te Timovski i cili gjuan mbi portë.
FT: Shkëndija 0:0 Shkupi
Stadiumi i qytetit në Tetovë
.
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (c), Krivak, Merxhani (Timovski 74’), Murati, Alimi (Nafiu 81′), Dita, Jessie Djou, Neziri, Elezi (Doriev 57’), Hebaj (Shala 57’).
Trajner: Bruno Akrapoviq