Me një lojë mjaft bindëse, me kundërzbritje të shpejta dhe aksione të bukura, kuqezinjtë sot në stadiumin e qytetit në Tetovë e fituan ndeshjen e xhiros së 11-të ndaj ekipit të Rabotniçkit. Ishin dy lojtarët e ri të Shkëndijës, Dashmir Elezi me golin e parë të shënuar në minutën e 10-të dhe Florent Ramadani me golin e dytë të shënuar në minutën e 65-të, që siguruan fitoren e rradhës së kuqezinjve.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me renditjen 3-4-1-2, me Shalën, Elezin dhe Gurin në vijën sulmuese.
XI: Zahov, Bejtullai (c)-Krivak-Neziri, F. Ramadani-Jessie Djou-Timovski-Merxhani, Shala, Elezi-Guri.
Përmbledhje:
Avancon Shkëndija në minutën e 10-të me golin e Elezit, i cili nuk e pati të vështirë të realizojë pasi u shërbye me një top nga Guri brenda 5-metërshit kundërshtar (10’).
Pasime të dyfishta Elezi-Merxhani, futet brenda zonës Merxhani por mbrojtësi kundërshtar bllokon tentimin e tij për të gjetur Gurin të vetmuar para portës (21’).
Adenis Shala pason deri te Elezi që godet drejt portës, por topi përfundon në duart e portierit Jankov (25’).
Kristijan Stojkoski gjendet brenda zonës së Shkëndijës, godet drejt portës por qendërmbrojtësi Jan Krivak devijon topin në goditje nga këndi (33’).
Goditje e lirë për kuqezinjtë, Merxhani kroson në 16-metërshin e Rabotniçkit, Krivak gjuan drejt portës por Jankov intervenon për mrekulli duke dërguar topin në rivënie nga këndi për Shkëndijën (45’).
Bejtullai e shërben me top brenda zonës Shalën që pason deri te Ramadani. Ky i fundit e gjen kuadratin por topi përplaset në shtyllën e portës së Rabotniçkit (46’).
HT:Shkëndija 1:0 Rabotniçki
Pjesa e dytë filloi me një zëvendësim në rradhët e kuqezinjve, me Dorievin që u inkuadrua në vend të Elezit.
Shala gjen Dorievin në thellësi, avancon përpara Dorievi duke u futur në zonën kundërshtare, pason në anën e majtë deri te Guri që menjëherë gjuan por shtylla bëhet përsëri aleate e portierit Jankov (61’).
Bejtullai godet nga distanca, portieri me majat e gishtërinjve dërgon topin në rivënie nga këndi për Shkëndijën (64’).
Ramadani dyfishon rezultatin në 2:0. Pasime të dyfishta Doriev-Ramadani, ky i fundit gjendet ballë për ballë me portierin dhe me reagim perfekt e mposht Jankovin (65’).
Doriev shërbehet me një top brenda zonës, kalon dy lojtarë mbrojtës të Rabotniçkit, krijon hapësirë, gjuan por topi shkon disa centimetra mbi transversale (89’).
Alimi në stilin e tij pason deri te Timovski që gjendet i vetmuar para portierit kundërshtar, gjuan por Jankov e mbron gjuajtjen e tij dhe nuk lejon kuqezinjtë të shënojnë edhe golin e tretë në këtë ndeshje (90’).
FT: Shkëndija 2:0 Rabotniçki
Stadiumi i qytetit në Tetovë.
Golashënues: Elezi 10′, Ramadani 65’.
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (c), Krivak, Neziri, Ramadani (Murati 72’), Timovski, Jessie Djou, Merxhani (Alimi 87’), Shala (Hebaj 87’), Elezi (Doriev 46’), Guri (Qaka 87’).
Trajner: Bruno Akrapoviq.