Kuqezinjtë shënojnë fitore bindëse në ndeshjen e javës së 29-të të kampionatit, duke e mundur në Stadiumin e Qytetit në Tetovë ekipin e Makedonija Gj.P. me rezultatin 3:1.
Kuqezinjtë dominuan kundërshtarin, patën seri të rasteve, qasje sulmuese, kontrollë të mirë mbi lojën dhe fituan trepikëshin nëpërmjet dy golave të Dorievit dhe një të Gurit.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me rreshtimin 4-2-3-1, ndërsa si titullar e startoi ndeshjen Florent Ramadani në pozitën e mesfushorit dhe Sindrit Guri në krye të sulmit.
XI: Zahov, Bejtullai(c)-Krivak-Neziri-Manevski, F. Ramadani-Dita, Shala-Hasani-Doriev, Guri.
Përmbledhje:
Që nga sinjalizimi i parë i arbitrit Trpçevski, kuqezinjtë vendosën dominimin në fushë duke organizuar aksione të njëpasnjëshme në drejtim të portës kundërshtare.
Ramadani shërben me top Dorievin i cili pasi krijon hapësirë godet nga distanca me të djathtën e tij por topi kalon pranë shtyllës (6’).
Kalon Shkëndija në epërsi nëpërmjet Dorievit. Ishte Neziri që krosoi brenda zonës me të majtën e tij, topi u devijua deri te Doriev që pasi krijoi hapësirë goditi fuqishëm dhe topi nga shtylla vertikale u ndal në rrjetën e portierit Stevkovski (16’).
Sindrit Guri dyfishon rezultatin në 2:0. Shala harkoi në qendër të zonës ku u gjend Guri që me mejshtri mposhti portierin duke dërguar topin në këndin e poshtëm të kuadratit (20’).
Pasim i dyfishtë Shala-Guri, ky i fundit tenton të transferojë lojën në krahun e majtë, topi devijohet deri te Manevski që shkelmon topin me të majtën por topi shkon shumë pranë shtyllës (35’).
HT: Shkëndija 2:0 Makedonija Gj.P.
Shala pason deri te Doriev që menjëherë godet në drejtim të portës së mysafirëve, por goditja e tij ishte qendrore dhe përfundoi në duart e portierit Stevkovski (53’)
Hasani kroson nga goditja e lirë, Guri godet me kokë por topi shkon mbi traversë (60’).
Aksion i kuqezinjve nga krahu i majtë, Doriev kombinon me Manevskin që gjuan në drejtim të kuadratit dhe topi ndalet në shtyllë (68’).
Shënojnë edhe golin e tretë kuqezinjtë, pasi në të njëjtën minutë organizojnë aksionin e radhës brenda zonës, Shala kombinon me Nezirin, ndërkaq ky i fundit e pason topin te Doriev që me të majtën e tij e dërgon topin në rrjetën e Stevkovskit (68’).
Shala shërben me një pasim preciz Ramadanin që gjendet në qendër të zonës, godet Ramadani por goditja e tij ishte qendrore dhe mbron me lehtësi Stevkovski (75).
Shënojnë mysafirët nëpërmjet Kuper që shënoi me kokë pas një krosimi të Popzllatanov (77’).
Nafiu kroson nga këndorja, topi vjen deri te Bejtullai që gjendet në pozitë ideale për të shënuar por goditja e tij bllokohet nga Kuper (90+1’).
FT: Shkëndija 3:1 Makedonija Gj.P.
Stadiumi i Qytetit në Tetovë.
Golashënues për Shkëndijën: Doriev 16’, 68’, Guri 20’.
Golashënues për Makedonija Gj.P: Kuper 77’.
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (c), Krivak, Neziri, Manevski, Dita (Jessie Djou 51’), F. Ramadani, Shala, Hasani (Nafiu 69’), Doriev (Elezi 86’), Guri.
Trajner: Artim Shaqiri.