Kuqezinjtë kualifikohen në çerekfinale të Kupës pas fitores 5:0 përballë Skopjes sot në Tetovë në kuadër të 1/8 së finales. Stojanovski gjen golin e parë zyrtarë me Shkëndijën. Debutojnë të rinjtë Nuhija e Hamza, si dhe Cuculi dhe portieri Taleski.
Detajet e ndeshjes:
SHKËNDIJA – SKOPJE 5:0 (4:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Shala 9’, Stojanovski pen. 14’, Doriev 33’, R. Ramadani pen. 45’ dhe F. Ramadani 61’ (Shkëndija)
Arbitër: Bllagojçe Ralevski (Manastir)
SHKËNDIJA: Taleski, Bejtullai (Hamza 66’), Hasani (c), (Elezi 46′) Doriev (Nazifi 46′), Shala (F. Ramadani 46′), R. Ramadani, Bilalli (Nuhija 61’), Velija, Cuculi, Vondra, Stojanovski.
Trajner: Qatip Osmani
SKOPJE: Mitev, Hristovski, Georgievski, Dimov, Hajdari (Omeragiq 54’), Ignatov (Kone 54’), Mitrevski, Kallpaçki (Dani 70’), Najdoski (Livareka 70’), Moussinga (Nastevski 54’), Abazi.
Trajner: Sllavço Georgievski.
Ndeshja
Shkëndija sjell tjetër performansë pozitive nën drejtimin e Qatip Osmanit, duke dominuar me lojë e gola përballë një Skopje të demoluar me shifrat 5:0. Me disa ndryshime në formacionin startues kur portieri Taleski dhe Cuculi morën minutat e para zyrtare në sezonin e ri, ndërsa epësia 4:0 nga pjesa e parë mundësoi që në të dytën të debutojnë me fanellën e ekipit të parë të rinjtë, Amir Nuhija dhe Memetriza Hamza.
Kuqezinjtë e nisën seriozisht takimin dhe pas 14-të minutave lojë rezultati ishte 2:0. Zhbllokimi erdhi në minutën e 9-të kur Shala realizoi në rrjetën mysafire, pasi priti mirë topin e kthyer nga shtylla pas goditjes me kokë të Stojanovskit, ndërsa ky i fundit pak më vonë ishte i saktë nga penaltia kur realizoi golin e parë zyrtarë me fanellën e Shkëndijës. Kuqezinjtë vazhduan me lojën dominuese dhe goli i radhës erdhi në minutën e 33-të kur Dorievi pas një solo aksioni të bukur kalon gjithë mbrojtjen dhe portierin mysafir para se të përcjellë topin me lehtësi në rrjetë. Pak para pauzës arbitri akordoi 11- metërshin e dytë për kuqezinjtë, të cilin në gol e shndërroi Reshat Ramadani për 4:0.
Pjesa e dytë nisi me tre zëvendësime kur trajneri Osmani tërhoqi nga loja Hasanin, Dorievin dhe Shalën, për të inkuadruar Elezin, Florent Ramadanin dhe Nazifin, që më vonë shans debutimi tu jepet edhe Amir Nuhija-s dhe Memetriza Hamza-s. Për dallim nga e para, pjesa e dytë nuk solli më shumë se një gol, por gjithsesi do të ishte një super gol i Florent Ramadanit që realizon për 5:0 në minutën e 61. Deri në fund kishim tjera mundësi, posaçërisht tentimet e Stojanovskit me kokë, por rezultati nuk ndryshoi dhe 5:0 ishin mjaftueshëm për të siguruar kalimin në çerekfinale të Kupës.
Ndeshja e radhës
Kuqezinjtë rikthehen në kampionat të dielën kur në kuadër të xhiros së 10-të të Ligës së Parë do të presin Bregallnicën në Tetovë.
Shkëndija-Bregallnica 09.10.2022