MATCH PREVIEW | Xhiroja e 34-t: Shkëndija – Rabotniçki

No image

“Kuqezinjtë” të dielën në Tetovë pa praninë e publikut presin Rabotniçkin në kuadër të xhiros së 34-t në LPFM. Takimi nis në orën 16:30.

Liga e Parë e futbollit të Maqedonisë ka hyrë në tre xhirot e fundit dhe të dielën në program është raundi i 34-t. Shkëndija në Tetovë përballet me Rabotniçkin, në kushte kur miqtë kërkojnë pikët për konfirmimin e pozitës së tretë që çon në Evropë, ndërsa “kuqezinjtë” veç më kanë siguruar pjesëmarrjen në eliminatoret e Liga Evropës. Ky takim llogaritet derbi dhe tërheqës jo vetëm sepse përballen aktualisht vendi i dytë dhe i tretë në renditje, por edhe për faktin se bëhet fjalë për prezantuesit më të mirë të futbollit të Maqedonisë viteve të fundit në skenën ndërkombëtare. Vitin e kaluar Shkëndija kishte ecuri të shkëlqyeshme, duke arritur në play-off të Liga Evropës, ndërsa para dy viteve të njëjtën arritje realizoi edhe Rabotniçki.

Këtë sezon mes veti janë përballur 5 herë, dy herë në Kupë dhe tre takime në kampionat. Shkëndija ka regjistruar 2 fitore, 2 ndeshje kanë përfunduar baraz, ndërsa Rabotniçki ka triumfuar vetëm një herë edhe atë në përplasjen e fundit në Shkup në muajin prill. Duke parë se gjithçka rreth renditjes për Shkëndijën është e mbyllur, nuk përjashtohet mundësia trajneri Selimi në fushë të nxjerrë formacion të kombinuar me futbollistë që deri tani kanë pasur më pak hapsira për të luajtur. Lëndime dhe pezullime nuk ka, kështu që para fillimit të takimit do të vendoset 11-shja që do nisë ndeshjen.


Shkëndija-Rabotniçki luhet të dielën në Tetovë me fillim në orën 16:30, ndërsa do të jetë ndeshja e tretë në të cilën Shkëndija vuan dënimin prej 4 takimeve si vendas pa praninë e publikut.