MATCH PREVIEW | Xhiroja e 31: Pobeda-Shkëndija

No image

“Kuqezinjtë” kanë realizuar sesionin e fundit të punës të martën para dite, para ndeshjes të së mërkurës me Pobedën nga ora 16:00 në terenin Mogila në Prilep.

Shkëndija s’ka kohë për pushim, pasi që vazhdon ritmi i ndeshjeve të ngjeshura fundjavë-mesjavë që zgjat tani më një periudhë. Pas takimit të fundit të ditës së dielë, futbollistët menjëherë kanë punuar për sfidë  e rradhës me Pobedën në kuadër të xhiros së 31 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Kjo do të jetë përballja e 6-të në 18-të ditët e fundit dhe përkundër lodhjes ekipi kërkon maksimumin.

Në seancën e fundit munguan Besart Ibraimi dhe Ardian Cuculi të cilët ishin lënë të lirë shkaku i stërngarkesës nga paraqitjet e vazhdueshme. Nuk ka futbollistë të lënduar apo të pezulluar, e sigurtë është se stafi teknik do të presë edhe pak për rikthimin e Bejtullait, ndërsa varësisht prej gjendjes fizike të lojtarëve të caktuar do të komponojë formacionin startues.

“Normal kemi pasur ndeshje çdo të mërkurë dhe të dielë dhe kjo është një lodhje për gjithë futbollistët. Por ne Prilep shkojmë për të dhënë maksimumin. Ne jemi Shkëndija, në çdo ndeshje shkojmë për fitore dhe besoj se do t’ia dalim të marrim tre pikët”, shprehet mesfushori, Arbin Zejnullai.

Pobeda-Shkëndija luhet të mërkurën në Mogila të Prilepit me fillim në orën 16:00.