Match-Preview | Borec vs Shkëndija

No image

Kuqezinjtë ditën e shtunë do të udhëtojnë për në qytetin e Velesit, ku në kuadër të javës së 20-të të LPFMV-së në cilësinë e mysafirit do të përballen me ekipin e Borecit.

Pas fitores ndaj ekipit të Strugës, kuqezinjtë do të kërkojnë të kthehen nga Velesi me fitore dhe të arkëtojnë tre pikë të reja në renditjen tabelare.

Do të jetë kjo përballja e nëntë e Shkëndijës kundër Borecit, ndërsa statistikat tregojnë se Shkëndija ka 5 fitore, Boreci ka 3 fitore, ndërsa një ndeshje ka përfunduar me barazim. Ndeshja e fundit ndërmjet dy skuadrave u zhvillua më 2 tetor të vitit 2021 në Tetovë, që përfundoi me rezultatin 3:0 në të mirë të Shkëndijës.

Detajet e ndeshjes:

E shtunë, 19 shkurt
Liga e Parë, xhiroja e njëzetë
Stadiumi i Qytetit në Veles
🆚 Borec | ⏱ 14:00 | 📺 TVM 2

Opinioni:

Adenis Shala: “Ndeshja si mysafir kundër Borecit nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por ne jemi mjaft të fokusuar te kjo ndeshje dhe do të udhëtojmë në Veles për fitoren e radhës. E dimë se na pret përballje e vështirë, por jemi të përgatitur dhe të motivuar për këtë sfidë. Pas fitores në xhiron e kaluar kundër Strugës atmosfera në skuadër është mjaft pozitive dhe të gjithë jemi gati që të japim maksimumin nga vetja. Në këtë sezon garues luajtëm një herë kundër Borecit në Tetovë dhe fituam me rezultatin 3:0. Shpresoj që edhe si mysafir, me ndihmën e Zotit do t’i marrim tre pikët dhe me fitore do t’i gëzojmë tifozët tanë Ballistët”.

Arbitër kryesor i takimit do të jetë Kiril Smokvoski nga Prilepi, do t’i ndihmojnë Daniell Vasilevski nga Shkupi dhe Martin Petkovski nga Kumanova, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Ivana Projkovska nga Shkupi.

Të rejat në skuadër:

Për shkak të pesë kartonave të verdhë, Mexhit Neziri mbetet jashtë kombinimit. Ndërkaq për shkak të një dëmtimi fizik, në këtë ndeshje edhe Zija Merxhani nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Akrapoviq. Lojtarët tjerë janë të gatshëm për lojë.

Kundërshtari:

Boreci

Pozita momentale: Boreci gjendet në vendin e 11 në tabelën e klasifikimit me 13 pikë të tubuara.

Ecuria: Boreci në pesë xhirot e fundit në ligë ka shënuar një fitore, dy barazime dhe dy humbje. Në ndeshjen e xhiros së kaluar Boreci barazoi 1:1 me ekipin Skopjes në Shkup.

🆚 Borec | ⏱ 14:00 | 📺 TVM 2

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME