Kuqezinjtë gati për finalen e Kupës

No image

Shkëndija kërkon të bashkojë dy trofetë e futbollit vendor kur pas kampionatit të mërkurën në Strumicë nga ora 20:00 zhvillon finalen e Kupës përballë Pelisterit. Kuqezinjtë janë stërvitur sonte në stadiumin “Mladost” në Strumicë (ora 20:00) në kohën e zhvillimit të finales, duke realizuar përgatitjet përfundimtare para takimit të vlefshëm trofe të Kupës.

Pas festës madhështore për titullin e fituar në kampionat, logjikisht atmosfera në skuadër është e shkëlyeshme ndërsa futbollistët synojnë të shfaqin performansë të pritur në terren për të bashkuar dy trofetë e futbollit vendor. Diçka që nuk ndodh nga viti 2014 kur kampionati dhe Kupa fitohej nga Rabotniçki, me Shkëndijën që duket pranë realizimit të diçkaje të tillë por me një dominim të hatashëm që e bën këtë kampanjë historike. Kuqezinjtë duken favorit absolut në këtë duel në të cilën trofeun e Kupës do ta diskutojnë ekipi i parë në renditjen kampionale përballë të fundit, të cilat mes veti ishin të distancuara plotë 57-të pikë. Shkëndija ishte bindëse përballë Pelisterit në gjithë katër takimet e kampionatit të sapo përfunduar me një goldiferencë 16:1 (fitore 1:3 dhe 0:6 në Manastir dhe 3:0 dhe 4:0 në Tetovë). Interesant se dy ekipet u përballën mes veti të dielën që lamë pas, kur kuqezinjtë festuan titullin e kampionit. Tani pason dueli i Kupës, ku Shkëndija synon fitore dhe trofeun edhe pse në asnjë moment nuk shikohet me nënçmim ndaj rivalit që sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Dytë. Të mësuar nga përvoja e hidhur e vitit të kaluar kur kuqezinjtë edhe pse favorit të mëdhenj pikërisht ndaj Pelisterit humbën finalen e Kupës, tani të gjithë janë të karikuar për të mos lejuar befasi. Kjo do të jetë finalja e tretë me rradhë e Shkëndijës dhe e pesta në histori, ndërsa trofeun e parë dhe të vetëm në Kupë e fitoi në vitin 2016.


Formacioni që do të nisë ndeshjen pritet të caktohet disa orë para startit, ndërsa trajneri Osmani për shkak të lëndimeve nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Ennur Totres, Bllagoja Todorovskit, Alma Abbo Wakilit dhe të riut Leart Sadriu.

Takimi final i Kupës ndërmjet Pelisterit dhe Shkëndijës luhet të mëkurën në stadiumin “Mladost” në Strumicë me fillim në orën 20:00, ndërsa i njejti do të transmetohet direkt në Tv 24.