Kupa, 1/8 e finales: Shkëndija – Skopje

No image

Kuqezinjtë të mërkurën përballë Skopjes kërkojnë fitore dhe kualfikim në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut.

NDESHJA

Shkëndija vs Skopje

Kupa e Maqedonisë së Veriut, 1/8 e finales

Stadiumi i qytetit në Tetovë

E mërkurë, 5 tetor, ora 14:00

Krahas kampionatit, Shkëndija objektiv ka edhe fitimin e Kupës. Kuqezinjtë kanë dy trofe në garën më masovike në vend dhe tashmë trofeu i Kupës mungon nga viti 2018. Katër vite pas triumfit të fundit në këtë garë kërkohet trofeu i tretë dhe rrugës drejt finales duhet të kalohet përmes Skopjes. Duke e ditur se në Kupë edhe sivjet luhen ndeshje teke (luhet vetëm një ndeshje), skuadra nuk ka vend për kalkulime dhe futbollistëve ju kërkohet seriozitet maksimal para këtij dueli. Çdo gabim kushton shumë dhe pa mundësi përmirësimi, kështu që stafi teknik nga lojtarët kërkon impenjim maksimal dhe seriozitet nga minuta e parë e deri te e fundit. 

Skopje po zhvillon sezon të dobët dhe pas 9-të xhirove në kampionat me vetëm 4 pikë ndajnë vendin e fundit me Pobedën. Me brenga serioze për mbijetesë nuk pritet të ushqejnë ambicie në garën e Kupës, por ky fakt nuk duhet të lirojë kuqezinjtë që me seriozitet shikojnë këtë duel. Përballja e parë kampionale mes veti e sezonit aktual u fitua 2:0 nga Shkëndija.

Skuadra

Tre mungesa do të ketë në formacion trajneri Qatip Osmani për duelin me Skopjen. Valmir Nafiu akoma nuk është rikuperuar, ndërsa sërisht ndjen shqetësime Bruno Dita duke bërë që stafi teknik ta pushojë për t’i ofruar mundësi për rikuperim të plotë. Ndërkohë Vagner Gonçalvesh mbetet jashta shkaku i pezullimit pas kartonit të kuq të marrë të dielën e shkuar në transfertën me Pobedën në kampionat.

Transmetimi

Ndeshja Shkëndija-Skopje do të transmetohet direkt në kanalin zyrtar të Shkëndijës në YouTube (Shkëndija Channel) të mërkurën nga ora 14:00.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME