Kundër Mllada Boleslav për histori të re evropiane

No image

Shkëndija kërkon të shënojë rezultat tjetër historik në skenën ndërkombëtare, pasi të enjten nga ora 20:00 në Shkup pretendon fitore kundër Mllada Boleslavit të Çekisë në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Liga Evropës.

Të enjten kërkohet një faqe e re historike për ‘kuqezinjtë’ që këtë verë janë të vetmit që ruajnë nderin e futbollit të Maqedonisë në skenën evropiane. Shkëndija duket e determinuar për suksese të shënuara, pasi për herë të parë në historinë e klubit arritën të kalojnë një raund eliminator në Evropë dhe këtë madje e bënë më shumë stil. Me dy fitore 2:0 dhe 1:2 u mund Krakovia e favorizuar nga Polonia, ndërsa djemtë ‘kuqezi’ nuk u mjaftuan me kaq dhe në raundin e dytë nxorën jashta Evropës një tjetër favorit të madh në letër, Nefchi Bakun e Azarbajxhanit. Goglat e shortit në raundin e tretë Shkëndijën e vendosën përballë Mllada Boleslavit të Çekisë dhe ‘kuqezinjtë’ janë të vendosur për të provuar të sjellin në fushë të njëjtin model loje, me shpresë se do të mjaftojë për një tjetër befasi dhe kalim në play-off për hyrje në grupet e Liga Evropës. Shkëndija tani më ka shkruar historinë, mirëpo futbollistët kërkojnë të mos mendojnë për atë që ka kaluar, të paktën deri sa ekipi vazhdon të jetë pjesë e kompeticionit evropian. Respekt maksimal për Mllada Boleslavin që njëjtë si Krakovia e Neftchi hyjnë si favorit në duelet me Shkëndijën, mirëpo futbolli jo rallë herë din të sjell befasi dhe ‘kuqezinjtë’ janë shembulli më klasik dhe i freskët për një gjë të tillë. Pritet që skuadra të ketë mbështetje të madhe nga tribunat dhe gjithë së bashku në ‘familjen’ e madhe Shkëndija të provojnë arritjen e një historie të re evropiane.

Përballja Shkëndija-Mllada Boleslav luhet të enjten me fillim në orën 20:00 në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, ndërsa pritjet nga ky duel në emër të skuadrës i transmetojnë Armend Alimi dhe Egzon Bejtullai në videon në vazhdim.