Kryesitë, Shkëndija e Shkupi: Tifozët të tejkalojnë mospajtimet mes vete

No image

Drejtuesit e Shkëndijës dhe Shkupit njëzëri pajtohen se vendi i tifozëve është në tribunë, por për të qenë të pranishëm në të njëjtën kohë dy grupet duhet të merren vesh mes vete për t’i tejkaluar mos-pajtimet e të së kaluarës.

Në kuadër të aktiviteteve përgatitore për ndeshjen e nesërme mes KF Shkëndija dhe KF Shkupi në Tetovë, kryesitë e të dy klubeve i kanë harmonizuar pikpamjet e tyre dhe kanë po të njëjtin qëndrim sa i takon pjesmarrjes së tifo-grupeve të tyre, “Ballistëve” dhe “Shvercerave”. Me këtë rast, dy kryesitë shprehin dëshirën e tyre për t’i patur në tribunë këta dy tifo-grupe sepse në fund të fundit, futbolli luhet për tifozët e për publikun e gjerë futbolldashës. Në të njëjtën kohë, pas spekulimeve që po dëgjohen këto ditë, kryesia e Shkëndijës dhe ajo e Shkupit i ftojnë tifo-grupet e tyre “Ballistët” dhe “Shvercerat” (kryesitë e tyre), ta gjejnë gjuhën e përbashkët mes vete dhe fërkimet që janë shfaqur kohë pas kohe mes tyre, t’ia lënë të kaluarës e të vijnë të kënaqen duke i ndjekur ndeshjet e skuadrave të tyre të zemrës. Le të bëhemi shembull i të bërit tifo ashtu siç synojmë t’i ngremë e t’i bëjmë shembullorë klubet tona aq më tepër kur tashmë e kemi nisur rrugën drejt niveleve europiane të futbollit.