Kryesia thërret ‘Ballistët’ të rikthehen në tribunë

No image

Kur kanë mbetur disa ditë deri në fillimin e gjysmësezonit pranveror, në të cilin Shkëndija kërkon titullin e kampionit dhe mbrojtjen e trofeut të Kupës, kryesia e klubit publikisht bën thirrje grupit të tifozëve ‘Ballistët’ të rikthehen në “Marshin Beqiri”. Binomi ‘Shkëndija-Ballistët’ prodhon një forcë më të madhe që në këtë moment nevojitet në marrshimin drejt objektivave. 

Të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë zhvillohet ndeshja e parë e gjysmëstinorit pranveror, në të cilin Shkëndija përballet me Sileksin në duelin e xhiros së 19-të të LPFM-së. “Kuqezinjtë’ kërkojnë të nisin një faqe të re të sukseseve që do të drejtojnë klubin drejt realizimit të objektivave, ndërsa në këtë udhëtim rëndësi shumë vitale ka mbështetja e ekipit nga ana e tifozëve. Shkëndija tani më një kohë mban epitetin e skuadrës me tifozeri më në numër, që qëndrojnë pas klubit në çdo situatë dhe tani kur ekipi kërkon suksese kulmore nevoja e tyre është e domosdoshme. Klubi ka bërë të gjitha parapërgatitjet për pranverë të suksesshme, ekipi është përforcuar me futbollistë cilësorë, ndërsa tani kryesia bën thirrje publike drejt tifozëve për të qenë pas ekipit si kurrë më parë. Vendi i “Ballistëve” është në tribunën “Marshin Beqiri”, ndërsa në kushte kur ekipi kërkon titullin e kampionit stadiumi i qytetit në Tetovë duhet t’i ngjajë festës në çdo ndeshje. Duke cilësuar shumë të rëndësishme mbështetjen që publiku u jep futbollistëve në momentet më të nevojshme, kryesia e klubit kërkon të tejkalohen gjithë mosmarëveshjet dhe sërish ndeshjeve tona t’ua kthejmë atmosferën e zakontë, ashtu si ngjan kësaj skuadre dhe kësaj tifozerie.

Presim që nga e diela, e në çdo ndeshje të rradhës bashkarisht të luftojmë për realizimin e objektivave sezonale, për të treguar vlerat tona sportive dhe kulturore të një kombi të civilizuar që din të arrijë suksesin përmes rrugës së ndershme.

“Mbi të gjitha Shkëndija”. ​