Krivak: Më mungon futbolli, besoj të kthehem javën e ardhshme

No image

Mbrojtësi ka punuar me intensitet maksimal, duke kaluar testet e qëndrueshmërisë dhe pritet të jetë në konkurim për ndeshjen e javës së ardhshme. I gatshëm për lojë për sfidën e të dielës me Sileksin në Tetovë do të jetë Ljupço Doriev.

Kuqezinjtë ngadalë po përfundojnë përgatitjet për vazhdimin e kampionatit, kur të dielën presim Sileksin e Kratovës në duelin e vlefshëm për xhiron e 25-të në elitën e futbollit vendor. I dëmtuar në fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, mbrojtësi sllovak, Jan Krivak nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje të vetme në vitin 2021, ndërsa pauza dy javore e kampionatit shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese erdhi në moment të mirë kur të njejtën e shfrytëzoi për fazën e fundit të rikuperimit të gjurit të dëmtuar.

Krivak, njejtë si Doriev që gjithashtu ankohej në një lëndim të natyrës më të lehtë, të premten kanë kaluar me sukses testin e qëndrueshmërisë dhe nga stafi mjekësorë kanë marrë dritë jeshile për lojë, ndërsa për aktivizimin eventual të tyre të dielën do të vendosë stafi teknik. Gjithsesi  Krivaku me gjasë do të duhet të presë edhe një javë për tu kthyer, pasi ditëve në vijim do të punojë në ngritjen e nivelit të forcës dhe përgatitjes fizike. Në dyshim për sfidën e të dielës është edhe portieri Kostadin Zahov, që vijon të ushtrojë i diferencuar nga grupi dhe deri në moment të fundit do të mbetet në dyshim për lojë.

“Kam lënë pas vetes periudhë shumë të vështirë. Më ka munguar shumë fusha dhe ndeshjet, por dëmtimi i gjurit më ka pamundësuar të ndihmoj ekipin. Kam ndjekur gjitha fazat e rikuperimit dhe me stafin mjekësor mendoj se kemi bërë maksimumin për t’u kthyer sa më shpejt. Pauza kampionale erdhi në moment të duhur dhe më dha mundësi të punoj më shumë dhe mos humb shumë edhe shumë të tjera ndeshje. Tani jam gati dhe mbetet stafi teknik të vendos kur do të aktivizohem në lojë, besoj javën që vjen do të jem ok edhe fizikisht”, shprehet Jan Krivak.

27 vjeçari në këtë kampanjë ka zhvilluar 16-të paraqitje me Shkëndijën, duke shënuar edhe një gol, ndërsa përballja e fundit që ka luajtur ishte ajo e 16-të dhjetorit të vitit të shkuar. Dëmtimi në Antalia tashmë tre muaj e mban jashta fushës, ndërsa duke punuar për rikuperim ai ka ndjekur me kujdes paraqitjet e ekipit dhe beson se titulli në fund do t’i takojë Shkëndijës.

“Nuk ka më keq për një futbollist të ndjekësh ndeshjet nga tribuna dhe mos mundesh të ndihmosh. Sipas mendimit tim në fillim të gjysmësezonit pranveror problem i vetëm ka qenë gjetja e golit. Për fat të mirë në ndeshjen e fundit para pauzës shënuam 6 herë kundër Vardarit dhe tashmë besoj të luajmë më lirshëm. Sileksi nuk është skuadër për t’u nënçmuar. Duhet të shikojmë ndeshjen me seriozitet maksimal, ata që do jenë në fushë të bëjnë më të mirën dhe në fund nga kjo përballje të dalim me tre pikë”, përfundoi Krivak.

Shkëndija të shtunën zhvillon seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Sileksin dhe stafi teknik do të ketë mundësi të pastrojë edhe dilemat e fundit para përballjes së ditës së dielë.


SHPËRNDAJE

TË NGJASHME